Një përdoruese e TikTok mbeti e habitur kur vuri re se qeni i saj ishte më i shkëlqyeshëm dhe më i butë se zakonisht pasi i dashuri i saj i bëri një dush.

Shpejt zbuloi edhe arsyen – ai kishte përdorur shamponin e saj prej 50 dollarësh. Historinë e saj e ndau në TikTok, ku u bë një hit viral.


Olivia Cisneros, pronarja e qenit Stubby, rrëfeu për Newsweek se i dashuri i saj, Reuben Lewin, i kishte thënë se do ta lante qenin, gjë që e habiti këndshëm. Megjithatë, entuziazmi i saj u zbeh kur kuptoi se për dushin e qenit ai kishte përdorur shishen e parë që kishte parë në banjë - shamponin e shtrenjtë të markës OUAI.

“Reagimi im i parë ishte shok, sepse nuk mund të besoja që do të përdorte shamponin tim të shtrenjtë për të larë qenin, por ai nuk e dinte çmimin sepse nuk blen kurrë shampoo më të shtrenjtë se 10 dollarë”, deklaroi pronarja e qenit.

Lewin fillimisht nuk kuptoi zemërimin e saj, duke mos qenë i vetëdijshëm për çmimin e produktit.

Për t’ia treguar se nuk ishte vetëm ajo që do të reagonte kështu, Cisneros e telefonoi motrën e saj, e cila gjithashtu mbeti e habitur. Duke parë që Lewin ende mendonte se kjo ishte “diçka që e kuptojnë vetëm disa njerëz”, ajo vendosi të ndajë historinë në TikTok.

Videoja, e cila deri tani ka mbledhur më shumë se dy milionë shikime, tregon Stubbyn e lumtur duke u rrotulluar. /Telegrafi/