LAJMI I FUNDIT:

Si mund ta ndihmojë ndryshe, Perëndimi Ukrainën

Si mund ta ndihmojë ndryshe, Perëndimi Ukrainën

Nga: Petro Poroshenko, president i Ukrainës në vitet 2014-19 / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pas një muaji të gjakderdhjeje, të bombardimeve të pamëshirshme dhe të vdekjeve të civilëve, dështoi keq plani blickrig i Vladimir Putinit. Nuk ishte ushtria triumfuese ruse ajo që parakaloi nëpër Kiev. Perëndimi nuk vëzhgonte si i dobët e i pafuqishëm. Ukraina nuk ka kapitulluar.

I zënë në grackën që vet e bëri, me humbje të rënda në njerëz dhe në pasuri (falë sanksioneve perëndimore), Putini ka kaluar në planin B: të bëjë rrafsh qytetet tona e të vrasë, të shkaktojë vdekje nga uria ose ta thyejë popullatën tonë duke e gjunjëzuar kështu.


Nuk ka dyshim se pushtimi rus i Ukrainës – që ishte i paprovokuar dhe i paramenduar – do ta përcaktojë gjeopolitikën gjatë gjysmëshekullit të ardhshëm – ose më shumë. Kjo shkon përtej Ukrainës dhe madje Evropës. E gjithë bota po vëzhgon, që nga Uashingtoni e deri në Pekin.

Si president i Ukrainës gjatë pushtimit të parë rus më 2014-15, e di se nëse Putini ia del me atë çfarë po bën në vendin tim, ai nuk do të ndalet këtu. Pastaj, autoritarët tjerë, anembanë globit, do të nxiten ta bëjnë të njëjtën gjë – diku tjetër.

Perëndimi i ka habitur të gjithë me unitetin e deritashëm. Por, janë shumë hapa tjerë që duhen ndërmarrë për ta detyruar Putinin për ta pranuar paqen.

Në shkurt të vitit 1941, Britania e Churchillit ishte e vetmuar në luftën kundër Gjermanisë naziste të Hitlerit. Ai i tha ShBA-së: “Na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën”. Në vitin 2022, Ukraina e pa veten të jetë i vetmi shtet që e lufton çmendurinë e Putinit. Prandaj, e kërkojmë të njëjtën gjë nga partnerët tanë perëndimorë. Miratojeni aktin e një huadhënie-qiraje të ngjashme me Aktin e huadhënies së ShBA-së të vitit 1941. Kjo duhet t’i autorizojë qeveritë e shteteve që ta furnizojnë Ukrainën me materialet e nevojshme, përfshirë ushqimet, municionet, tanket, avionët luftarakë dhe sistemet antitank e kundërajror.

Me ushtrinë e Ukrainës që po lufton heroikisht, si në tokë ashtu edhe në det, rezultati i luftës së Rusisë dhe rrjedhimisht e ardhmja e paqes – pastaj stabiliteti dhe siguria në Evropë – varen kryesisht nga kontrolli efektiv i vendit tonë mbi qiejt tanë.

Është e kuptueshme që NATO-ja ngurron të ofrojë një “zonë të ndaluar fluturimi”. Por, organizata mund të bëjë më shumë duke ia siguruar Ukrainës mjetet e nevojshme për ta mbajtur nën kontroll qiellin e vet. Kjo fillon me transferimin në Ukrainë të aeroplanëve MiG-29, që janë në dispozicion të shteteve të NATO-s. Furnizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore (tokë-ajër) – si mbrojtja kundërajrore C300 – do ta ndihmonte Ukrainën që ta përmbysë epërsinë ajrore të Rusisë.

Kur është fjala te ndihma ekonomike, sanksionet përditshme perëndimore po e frenojnë aftësinë e Rusisë për të na gjunjëzuar. Por, ka mundësi që këto sanksione të jenë edhe më të fuqishme. Kjo do të thotë embargo totale tregtare, përfshirë këtu ndalesën e BE-së për t’i blerë burimet ruse të energjisë (naftë, gaz). Çdo qindarkë që Perëndimi ia mohon Putinit, është qindarkë që nuk futet në makinerinë e luftës së Moskës. Nëse Rusia nuk paguhet për naftën dhe gazin, kjo do ta zvogëlojë numrin e raketave Iskander që aktualisht po e godasin çdo ditë tokën tonë.

Putini dëshiron të na dëshpërojë duke na mbajtur nën bombat e tij dhe mes rrënojave të vendit tonë. Luftëtarët tanë duhet ta dinë se mbi qytetet tona të shkatërruara do ta ndërtojmë një Ukrainë më të fortë, madje më të begatë se ajo që ai u përpoq të na marrte. Partnerët tanë perëndimorë duhet që tash të na japin sinjale për atë që po planifikojnë për të nesërmen – se ata do të jenë këtu për të na ndihmuar, për ta rindërtuar pa vonesë vendin tonë. Për Ukrainën e preferojmë një plan trepalësh Biden-Michel-Johnson, të mbështetur nga ShBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe, por gjithashtu të hapur për vendet e tjera – para së gjithash për anëtarët e G7-shit.

Tri shtyllat e para të një plani të tillë mund të jenë kreditë e dhëna për Ukrainën nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe në trajtën dypalëshe, e pastaj ngrirja e rezervave të Bankës Qendrore të Rusisë dhe një lloj programi ndihmese “energji për rindërtim” (shitjet e gazit dhe të naftës ruse do të përfundonin në një fond special për ta rindërtuar infrastrukturën e Ukrainës).

Së fundmi, e dimë se rruga për anëtarësim në BE do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Por, fakti që aplikacioni ynë është vulosur fjalë për fjalë me gjakun ukrainas, kjo duhet të jetë shenja më e fortë e mundshme se ne vërtetë jemi pjesë e një Evrope të Bashkuar. E dimë se negociatat kërkojnë kohë. E dimë se nuk ka rrugë të shkurtra në rrugëtimin tonë për t’u bërë anëtar aktual. Por, me vullnet politik, asgjë nuk duhet të na pengojë që të pranohemi si vend kandidat deri në fund të vitit 2022.

Lufta e Putinit kundër Ukrainës na sjell në realitetet e pasluftës së Ftohtë. E dimë për çfarë po luftojmë. E dimë se mund të fitojmë. E dimë që ju jeni me ne. Por, kemi nevojë për vazhdimin e ndihmës tuaj. Me këtë mund ta rivendosim rendin ndërkombëtar të pasluftës së Ftohtë. Pa të do ta shohim një kthim në vitin 1914 – por, me armët e shekullit XXI. Kjo është e ardhmja që askush nuk e dëshiron. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Magazina
Tre banorë të rinj hyjnë në Big Brother VIP Albania, mes tyre një çift

Tre banorë të rinj hyjnë në Big Brother VIP Albania, mes tyre një çift

Magazina
Laerti me një mision të fshehtë nga Vëllai i Madh: Gerti ‘bie në kurth’ me deklaratën për biseksualitetin e tij

Laerti me një mision të fshehtë nga Vëllai i Madh: Gerti ‘bie në kurth’ me deklaratën për biseksualitetin e tij

Magazina
Publikohen pamje të reja gjersa ishte gjallë Yahya Sinwar - shfaqet duke udhëhequr operacionet e Hamasit

Publikohen pamje të reja gjersa ishte gjallë Yahya Sinwar - shfaqet duke udhëhequr operacionet e Hamasit

Azia
Shefi i ri i CIA-s: Besoj se coronavirusi doli nga laboratori

Shefi i ri i CIA-s: Besoj se coronavirusi doli nga laboratori

Amerika
Pasi pranon pëlqimin për të, Egli deklaron se do të largohet nga Gjesti, për të vazhduar lojën e vetme

Pasi pranon pëlqimin për të, Egli deklaron se do të largohet nga Gjesti, për të vazhduar lojën e vetme

Magazina
Kalo në kategori