Nëse nuk do të mund të bënim përgjithësime, do të paralizoheshim nga kompleksiteti i botës. A e arsyeton kjo ndonjëherë stereotipizimin?

Nga: Tom Ralston / aeon.co (ky ese është fitues i edicionit të parë të Çmimit Aeon për Filozofi)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com


Mbipërgjithësimi ka reputacion të keq. Duket ashiqare gabim, ndonëse i kuptueshëm, të përgjithësojmë përtej asaj që mbështesin dëshmitë tona. Një fëmijë që luan në park mund të supozojë - bazuar në përvojat me qenin e tij miqësor, Golden Retriver - se të gjithë qentë janë miqësorë. Por, do të gabonte po t’i afrohej XL Bulit, një race qensh që kohët e fundit praktikisht është bërë e jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar - pas një vargu sulmesh ndaj fëmijëve. Kur dikush bën përgjithësime të pabazuara për grupet shoqërore, ne e dënojmë për mëkatin e stereotipizimit. Është e gabuar të konkludohet, pas vetëm një përvoje me një britanik të pasjellshëm, se të gjithë britanikët janë të pasjellshëm.

Dëgjojmë më pak për problemet e nënpërgjithësimit. Përgjithësimi na vjen aq natyrshëm, saqë pak prej nesh rrezikojnë të nënpërgjithësojnë, prandaj i kushtojmë pak vëmendje. Përqendrimi te mbipërgjithësimi është i kuptueshëm duke pasur parasysh pasojat e mundshme të tij, si në rastin e fëmijës që supozon se një qen i rrezikshëm është njësoj si qentë miqësorë që ka hasur deri më sot. Megjithatë, vetë përgjithësimi nuk është paragjykim që duhet korrigjuar. Ai është një rrugë e shkurtër kognitive dhe një pjesë themelore e jetës sonë mendore. Pa të do të ishim të humbur. Ai i jep strukturë përvojës sonë dhe na çliron që të përqendrohemi tek e reja në kurriz të së vjetrës. Fëmija që i afrohet XL Bulit dhe personi që stereotipizon britanikët rrezikojnë të bëjnë një gabim, por burimi i gabimit të tyre nuk është dëshira e tyre për të përgjithësuar.

Atëherë, çfarë nuk shkon me mbipërgjithësimin?

Historia jonë fillon në Kembrixh, në vitin 1930. Duke kërkuar mes letrave të mikut të tij të vdekur rishtazi, filozofi Richard Braithwaite zbuloi një grumbull shënimesh të shkruara me dorë mbi natyrën e bindjeve të përgjithshme, siç është bindja se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Miku ishte Frank Plumpton Ramsey, filozofi dhe matematikani i jashtëzakonshëm, të cilin Paul Samuelson, laureat i Çmimit Nobel në Ekonomi, e përshkroi si “gjeni sipas të gjitha kritereve të gjenialitetit”. Shënimet ishin shkruar në shtator të vitit 1929, vetëm katër muaj para vdekjes së Ramseyt nga një sëmundje misterioze, të cilën mund ta kishte marrë duke notuar në lumin Kem. Ramsey vdiq në moshën vetëm 26-vjeçare, por do të linte pas një trashëgimi shumë të madhe në filozofi, matematikë, ekonomi dhe logjikë.

Në ato shënime, të titulluara më vonë nga Braithwaite si “Propozimet e përgjithshme dhe kauzaliteti” [General Propositions and Causality], Ramsey mbrojti një pikëpamje mbi përgjithësimet që hidhte poshtë si pikëpamjet e tij të mëparshme, ashtu edhe ato të Ludwig Wittgensteinit mbi të cilin Ramsey i ri, deri pak kohë më parë student universitar, ushtroi ndikim të konsiderueshëm gjatë kohës që kaluan së bashku në Kembrixh në fund të viteve ’20 të shekullit XX.

Ramsey donte të dinte se çfarë do të thotë të thuash se një person beson se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Ai arriti në përfundimin se, nëse beson në një përgjithësim, ke një shprehi ose prirje. Nëse beson se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, do të kujdesesh që të mos i shtypësh miqtë e tu me makinë dhe të sigurohesh të kenë ajër për të marrë frymë, sepse je i prirë ta trajtosh çdo njeri që takon si të vdekshëm. Së bashku, këto shprehi dhe prirje përbëjnë sistemin me të cilin ne “takojmë të ardhmen”. Ato janë mënyra se si orientohemi përballë vëzhgimeve dhe përvojave të reja.

Cila është alternativa? Wittgensteini, me shkrimet e të cilit Ramsey ishte shumë i familjarizuar, pasi - teksa ishte ende student universitar - kishte punuar në përkthimin nga gjermanishtja në anglisht të veprës jashtëzakonisht të vështirë për t’u deshifruar, Traktati logjiko-filozofik [Tractatus Logico-Philosophicus, 1921], kishte argumentuar se të besosh përgjithësimin do të thotë të besosh në një ndërthurje të pafund faktesh për të veçantat: Alani është i vdekshëm dhe Bela është e vdekshme dhe Karli është i vdekshëm e kështu me radhë për çdo qenie njerëzore që mund të përmendësh. Pikëpamja e re e Ramseyt i shihte bindjet në përgjithësime si të tilla që përfshinin një prirje për ta trajtuar çdo njeri që takon si të vdekshëm. Kjo është paksa ndryshe. Në fund të fundit, prirja është e mirë për aq sa del e saktë kur vihet në provë. Prirja për ta trajtuar çdo njeri që takoj si të vdekshëm nuk më ka çuar në rrugë të gabuar deri më tani, por prirja për ta trajtuar çdo njeri sikur të kishte flokë bionde do të dështonte shpejt. Kjo është arsyeja pse nuk besoj se të gjithë njerëzit kanë flokë bionde.

Pse Ramsey e refuzoi pikëpamjen e tij të mëparshme? Ramsey kuptoi se dy njerëz mund të mos pajtohen në bindjet e tyre rreth përgjithësimeve, edhe kur pajtohen për të gjitha faktet rreth të veçantave. Përfytyroni se po debatoj me një tekno-utopist i cili beson se vdekshmëria është vetëm një tipar kontingjent i ekzistencës së tanishme të njerëzimit dhe se, në parim, njerëzit mund të jetojnë përgjithmonë. Unë mund të pajtohem me të tillët se çdo njeri deri më tani ka qenë i vdekshëm, por njëkohësisht të mos pajtohem për atë nëse të gjithë njerëzit janë të vdekshëm. Tekno-utopisti nuk do të pajtohej me mua se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, edhe pse asnjë njeri nuk e ka arritur ende pavdekësinë. Nëse besimi te përgjithësimi do të përfshinte vetëm besimin se çdo njeri i mëparshëm kishte qenë i vdekshëm, ne nuk do të mund të mos pajtoheshim pa mos u pajtuar për vdekshmërinë e ndonjë njeriu të veçantë. Por, pajtohemi se të gjithë njerëzit e së kaluarës kanë qenë të vdekshëm. Kjo nuk kontestohet. Nuk pajtohemi vetëm për njerëzit e mundshëm të së ardhmes, pa pasur mosmarrëveshje për ndonjë njeri të veçantë. Prirja ime për t’i trajtuar njerëzit si të vdekshëm do të dështonte në një të ardhme të mundshme në të cilën ndonjë magjistar i teknologjisë zbulon sekretin e pavdekësisë. Mosmarrëveshja jonë nuk ka të bëjë me faktet rreth vdekshmërisë së ndonjë njeriu real, por me zbatimet e mundshme të kësaj prirjeje në të ardhmen.

Kjo perspektivë e re ndihmon të shpjegohet pse Ramsey e rishikoi pikëpamjen e tij të mëparshme për përgjithësimet. Në vend që të pyeste Si duhet të jetë bota që një besim në një përgjithësim të jetë i vërtetë?, Ramsey pyeti Për çfarë shërben besimi në përgjithësim? Përgjigjja e tij, siç e kam sugjeruar tashmë, është: për t’u përballur me të ardhmen. Pse? Përvoja njerëzore është tepër komplekse që ne t’i kushtojmë vëmendje çdo detaji. Duhet të jemi përzgjedhës në gjërat të cilave u kushtojmë vëmendje. Por, si përcaktohemi se te çfarë të përqendrohemi dhe çfarë të shpërfillim? Bindjet në përgjithësime ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj dileme. Kur shoh në Londër një automjet të kuq dykatësh, mund të përdor njohuritë e mia të përgjithshme për autobusët për të parashikuar se ai do të ndalojë në stacionin e ardhshëm të autobusit, për të marrë personin që po jep shenjë me krah. Nuk më duhet të pres për të parë se çfarë bën automjeti, gjë që më liron që ta përqendroj vëmendjen time diku tjetër. Këto parashikime nuk kanë nevojë të jenë të pagabueshme për të qenë të dobishme. Kur autobusi është i mbushur ose jashtë shërbimit, ai nuk do të ndalojë për pasagjerë. Edhe nëse bindjet e mia ndonjëherë më çojnë të bëj një gabim, unë i përdor ato në përgjithësime për të bërë parashikime se si do të jetë e ardhmja, ndërsa i përdor këto parashikime për të vendosur se çfarë të shpërfill.

Jo të gjitha përgjithësimet tona përdoren për të njëjtin qëllim. Për Ramseyn, nëse duhet ta besojmë përgjithësimin kjo varet nga virtytet e zakonit që përbën besimin. Përgjithësimet universale nuk lejojnë asnjë përjashtim: pasi të ndesh një mace të vetme pa qime të racës Sfinks, nuk duhet të besoj më se të gjitha macet kanë qime. Kjo veçori e përgjithësimeve universale do të thotë se, nëse ato duhet të jenë të dobishme, duhet të formulohen me një shkallë të lartë saktësie. Besimi im se të gjitha macet kanë qime është tepër i përgjithësuar. Ndoshta, në vend të kësaj duhej të kisha besuar se të gjitha macet përveç maceve Sfinks kanë qime. Por, as kjo nuk do të jetë krejtësisht e saktë, sapo të mësoj për macet e racës Levkoi i Ukrainës. Dhe, ndërsa bëhen më të sakta, këto bindje bëhen më pak të dobishme, sepse bëhen më të ndërlikuara, me shumë klauzola ad hoc. Kalojmë nga e thjeshta “Të gjitha macet kanë qime” te “Të gjitha macet, përveç Sfinksit dhe Levkoit të Ukrainës, dhe kësaj këtu dhe asaj atje ... kanë qime”.

Ramsey, një filozof me prirje matematikore, ishte i interesuar për përgjithësime universale të formuluara me saktësi. Por, shumë nga përgjithësimet që besojmë nuk e kërkojnë këtë lloj saktësie. Unë besoj se macet kanë qime. Sa mace pa qime duhet të ndesh përpara se ta braktis këtë bindje? Përgjithësimet si “Macet kanë qime”, pa një fjalë sasiore si “të gjitha” ose “shumica”, tani njihen nga filozofët dhe gjuhëtarët si përgjithësime gjenerike. Ato kanë të bëjnë me atë që është përgjithësisht e vërtetë për një kategori (macet), por nuk thonë se cili proporcion i kategorisë e ka vetinë në fjalë (të pasurit qime). Pyetjes Sa mace kanë qime? mund t’i përgjigjem duke thënë Shumica e maceve kanë qime, por jo thjesht Macet kanë qime. Këto janë më të zakonshme në jetën e përditshme sesa përgjithësimet universale me të cilat filozofëve dhe logjicienëve u pëlqen të merren.

Ashtu si me përgjithësimet universale që diskutoi Ramsey, të besosh përgjithësimin gjenerik do të thotë të jesh i prirur t’i trajtosh anëtarët e një kategorie sikur të kenë njëfarë vetie. Aty ku ato ndryshojnë është se besimet gjenerike nuk kanë nevojë të rishikohen përballë një apo edhe shumë kundërshembujve. Mund ta ruaj besimin tim se macet kanë qime, duke e ditur se shumë mace nuk kanë fare qime. Nuk kam nevojë ta rishikoj besimin tim se autobusët ndalojnë për të marrë pasagjerët vetëm sepse nuk e bëjnë këtë kur janë të mbushur. Gjërat mund të bëhen edhe më ekstreme: siç ka argumentuar filozofja dhe shkencëtarja kognitive Sarah-Jane Leslie, njerëzit do ta pranojnë se mushkonjat bartin virusin e Nilit Perëndimor edhe kur janë të vetëdijshëm se vetëm një përqind e mushkonjave janë bartëse. Ndonjëherë, një korrelacion jashtëzakonisht i fortë nuk është i mjaftueshëm për të justifikuar besimin në një përgjithësim gjenerik: unë nuk besoj se njerëzit janë djathtakë, edhe pse rreth 90 përqind prej nesh janë.

E gjithë kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë t’i përgjigjesh pyetjes: si duhet të jetë bota që një përgjithësim gjenerik të jetë i vërtetë? Duke marrë frymëzim nga Ramsey, në vend të kësaj mund të pyesim: për çfarë shërbejnë përgjithësimet gjenerike? Ato janë përgjithësime për një kategori, por nuk zbatohen në mënyrë të njëzëshme për çdo anëtar të kategorisë. Për shkak se i tolerojnë përjashtimet, ato kërkojnë më pak prej nesh sesa përgjithësimet universale. Ato nuk kërkojnë që ne t’i rishikojmë besimet tona përballë kundërshembujve. Kjo veçori befasuese dhe rrallë e përmendur është ajo që i bën ato kaq të dobishme: mund të formoj shumë besime gjenerike për kategoritë pa u shqetësuar që t’i kem gjërat saktësisht siç duhet në secilin rast. Prirja ime për ta trajtuar çdo mace që takoj si me qime, do të më çojë ndonjëherë në gabim, por prapëseprapë ia vlen ta ruaj atë prirje, sepse ajo i qëllon gjërat saktë goxha shpesh. Dhe, kur gaboj, ka pak gjasa që kjo të ketë ndonjë kosto të madhe. Para se ta has, mund të supozoj gabimisht se macja e re e mikut tim do të ketë qime dhe pastaj të zbuloj se është një mace Sfinks, por gabimet e këtij lloji nuk do të më mbajnë zgjuar natën.

Deri këtu, gjithçka në rregull për përgjithësimet gjenerike. Ato e thjeshtojnë botën duke e zhveshur nga dallimet individuale. Ato janë të pandjeshme ndaj proporcioneve, kështu që nuk na duhen provat e sakta statistikore për t’i mbështetur ato. Ato lejojnë përjashtime, kështu që nuk kemi nevojë t’i rishikojmë vazhdimisht. Por, pikërisht tiparet që i bëjnë përgjithësimet gjenerike kaq të dobishme, janë gjithashtu shenja dalluese të stereotipave. Përgjithësimet universale nuk përbëjnë stereotipa të mirë - ato janë tepër të lehta për t’u falsifikuar duke gjetur një kundërshembull të vetëm. Përgjithësimet gjenerike janë më të përshtatshme për këtë detyrë, pasi mund t’i ruajmë ato edhe kur dimë për një numër të madh kundërshembujsh.

Të stereotipizosh një kategori do të thotë të lidhësh veti të caktuara me kategorinë dhe anëtarët e saj. Ashtu si besimet e tjera në përgjithësime, stereotipat janë pjesë e sistemit me të cilin takohemi me të ardhmen. Ato imponojnë strukturë në përvojat tona. Ne nuk mund t’i kushtojmë vëmendje çdo dallimi individual, por, në vend të kësaj, i përdorim këto besime për ta thjeshtuar përvojën tonë dhe për të bërë parashikime për të ardhmen. Dhe, nuk i rishikojmë besimet tona në këto përgjithësime sa herë që ndeshim një përjashtim, nga frika se mos braktisim strukturën që ato ofrojnë.

Stereotipizimi i grupeve shoqërore, përfshirë ato të përcaktuara nga kombësia, gjinia ose ngjyra e lëkurës, zakonisht konsiderohet moralisht i gabuar, sepse minon autonominë e njerëzve duke u përqendruar te përkatësia e tyre në një grup, në vend se te cilësitë e tyre si individë. Është e zakonshme të dëgjosh se stereotipizimi nuk është vetëm një dështim moral, por edhe një dështim epistemik, një dështim i racionalitetit ose i përmbushjes së detyrimeve tona si njohës. Ndonjëherë madje na thuhet se prirja për të stereotipizuar është pasojë e aftësisë së ulët kognitive.

Ka shumë mënyra në të cilat stereotipizimi mund të kontribuojë në një dështim epistemik. Ai shpesh na çon në gabim, pjesërisht sepse provat nga të cilat përgjithësojmë janë të këqija. Paraqitjet stereotipike të anëtarëve të grupeve etnike të shtypura historikisht në film dhe televizion, mund të formojnë bazën për përgjithësime stereotipike rreth atyre grupeve, të cilat, nga ana e tyre, e përjetësojnë stereotipin në paraqitjet e ardhshme. Stereotipizimi mund të na bëjë që në mënyrë sistematike t’i keqinterpretojmë provat e paqarta në një mënyrë që na çon në zhvillimin e besimeve të rreme të dëmshme. Njerëzit me ngjyrë në Mbretërinë e Bashkuar kanë dukshëm më shumë gjasa të ndalohen dhe të kontrollohen nga oficerët e policisë sesa njerëzit e bardhë. Mbajtja e një stereotipi racor për atë grup mund ta çojë një person në përfundimin e gabuar se anëtarët e tij kanë prirje më të lartë të lindur për të kryer krime.

Sado të rëndësishme të jenë këto aspekte shqetësuese të stereotipizimit, mua më intereson më shumë çështja nëse ka diçka, në mënyrë të qenësishme, irracionale në qëndrimin epistemik që çon në stereotipizim.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet pasur parasysh se pse stereotipizojmë. Stereotipizimi është formë përgjithësimi. Njerëzit stereotipizojnë sepse kanë nevojë ta thjeshtojnë përvojën e tyre. Dhe, për shkak se të gjithë ne kemi nevojë ta thjeshtojmë përvojën tonë, nuk duhet ta përjashtojmë stereotipizimin si qenësisht irracionale. Ai mund të na çojë shpesh në gabim, por gabimi ynë nuk është dëshira jonë për të përgjithësuar.

Kognicioni njerëzor është i kufizuar. Kjo është arsyeja pse shkurtoret mendore, si përgjithësimi, janë pjesë thelbësore e jetës sonë mendore. Në punën e Daniel Kahnemanit mbi racionalitetin e kufizuar, që fitoi Çmimin Nobel në vitin 2002 - përmbledhur në librin e tij Të menduarit: Shpejtë dhe ngadalë [Thinking, Fast and Slow, 2011] dhe e zhvilluar fillimisht së bashku me Amos Tverskyn - ai zbuloi se njerëzit përdorin një sërë heuristikash njohëse kur u kërkohet të bëjnë gjykime komplekse. Heuristikat janë mënyra për të marrë vendime në kushte pasigurie ose burimesh të kufizuara. Për shkak se na lejojnë të shpërfillim shumë informacion, heuristikat nuk janë gjithmonë të sakta. Në një studim të vitit 1983 nga Kahneman dhe Tversky, që ilustronte “gabimin e konjunksionit”, njerëzve iu paraqit përshkrimi i mëposhtëm:

Linda është 31 vjeçe, beqare, e drejtpërdrejtë dhe shumë e zgjuar. Ka studiuar filozofinë. Si studente, ishte thellësisht e shqetësuar për çështjet e diskriminimit dhe të drejtësisë shoqërore, dhe gjithashtu merrte pjesë në demonstrata kundër armëve bërthamore.

Pjesëmarrësit e tyre, përfshirë edhe ata me njohuri të sofistikuara të statistikës, gjykuan se “Linda është arkëtare banke dhe është aktive në lëvizjen feministe” ishte më e mundshme sesa “Linda është arkëtare banke”, duke pasur parasysh informacionin në përshkrim. Por, pohimi i parë e nënkupton të dytin dhe, për këtë arsye, nuk mund të jetë më i mundshëm. Në vend që të zbatojnë arsyetim të saktë statistikor, njerëzit përdorin një heuristikë të “përfaqësueshmërisë” në të cilën alternativa e parë gjykohet si më e mundshme se e dyta, sepse përshkrimi i Lindës është më përfaqësues për idenë e tyre për një arkëtare banke feministe sesa për një arkëtare banke. Është tunduese ta interpretojmë këtë si dëshmi të irracionalitetit të përhapur, por t’i hedhësh poshtë këto heuristika pa i shqyrtuar do të thotë të shpërfillësh vlerën e shkurtoreve të tilla kognitive. Shpesh duhet të arsyetojmë shpejt ose vetëm me prova të pjesshme, dhe heuristikat janë të paçmueshme në rrethana të tilla. Personi i cili nuk do të përdorte kurrë të menduarit heuristik, do të mbingarkohej nga kërkesat kognitive që konkurrojnë me njëra-tjetrën. Heuristikat, megjithëse të gabueshme në mënyra sistematike, janë mjete thelbësore për të lundruar në kompleksitetin e përvojës.

Përgjithësimi është një lloj tjetër shkurtoreje kognitive. Ashtu si heuristikat e Tverskyt dhe Kahnemanit, ai mund të na çojë në gabime. Kjo ndodh sepse përgjithësimi, në mënyrë të qenësishme, shkon përtej provave tona. Mosmarrëveshja ime me tekno-utopistin për vdekshmërinë e njerëzve ka të bëjë me atë që është e mundur për njerëzit; ne nuk kemi mosmarrëveshje për provat që janë në dispozicion.

Të përgjithësosh do të thotë të takosh të ardhmen me supozime që e bëjnë botën rreth nesh të kuptueshme, por me çmimin e kushtimit të më pak vëmendjeje ndaj dallimeve individuale. Stereotipizimi është një mënyrë për ta bërë botën shoqërore të kuptueshme. Kjo nuk e bën stereotipizimin të drejtë. Ai mund të jetë i saktë ose jashtëzakonisht i pasaktë dhe mund të keqpërdoret. Ai mund t’i dëmtojë në shumë mënyra anëtarët e grupeve të stereotipizuara, pjesërisht sepse përbën një dështim për t’i parë njerëzit si individë, në vend që t’i shohim thjesht si anëtarë të një kategorie. Dobishmëria kognitive e stereotipizimit nuk e bën atë racional: të vazhdosh ta mbash një stereotip përballë provave dërrmuese kundër tij është me siguri gjë irracionale. Por, ajo e bën stereotipizimin të kuptueshëm dhe ndoshta edhe moralisht të falshëm, pasi pasqyron nevojën tonë për të bërë parashikime për të ardhmen, bazuar në kategoritë në të cilat bëjnë pjesë gjërat, përfshirë njerëzit.

Si e gjejmë një ekuilibër mes nënpërgjithësimit dhe mbipërgjithësimit? Një pikë nga e cila mund të fillojmë është të kërkojmë kundërshembuj ndaj përgjithësimeve tona. Më pas mund t’i përjashtojmë si të rreme të paktën disa prej besimeve tona të përgjithshme. Kjo përgjigje ndaj problemit të përgjithësimeve u propozua nga filozofi i shkencës Karl Popper. Ai argumentoi në mënyrë të famshme se, thënë rreptësisht, ne kurrë nuk jemi të justifikuar të besojmë se përgjithësimet universale janë të vërteta mbi bazën e përvojës, pasi gjithmonë ekziston një kundërshembull tjetër i mundshëm që fshihet përtej vëzhgimit tonë. Megjithatë, jemi të justifikuar të besojmë se një përgjithësim universal është i rremë kur dimë për një kundërshembull të vetëm. Një njeri i vetëm i pavdekshëm do ta falsifikonte përgjithësimin se të gjithë njerëzit janë të vdekshëm.

Ky propozim funksionon mjaft mirë për përgjithësimet universale, pasi mund t’i përcaktojmë lehtësisht kushtet në të cilat ato janë të rreme. Shqetësimi i Popperit ishte praktika e shkencës, ku saktësia e përgjithësimeve universale është e mirëpritur. Por, shumë nga besimet tona të përgjithshme të përditshme nuk janë besime në përgjithësime universale. Ato janë, në vend të kësaj, besime gjenerike. Problemi me këto besime është se as folësit e zakonshëm dhe as gjuhëtarët e trajnuar nuk kanë një ide të qartë për kushtet në të cilat përgjithësimet gjenerike janë të vërteta ose të rreme. Ato i tolerojnë përjashtimet, kështu që vetë fakti se ka disa mace pa qime nuk do të thotë se besimi im se macet kanë qime është i rremë. Dhe, nëse nuk mund të themi se kur janë të rreme, atëherë kërkimi për kundërprova, i sugjeruar nga Popperi, nuk do të na tregojë çfarë (të mos) besojmë.

Pa kritere të qarta për të vërtetën dhe të rremen, si mund të themi se cilat prova duhet të na çojnë t’i rishikojmë besimet tona gjenerike? Ja përgjigjja ime. Duhet, ashtu si Ramsey, t’i qasemi kësaj pyetjeje në mënyrë pragmatike. Ka dy faktorë që duhet t’i marrim parasysh kur vlerësojmë besimet tona gjenerike. Të dy ato mbështeten në idenë e Ramseyt se besimet në përgjithësime janë prirje që duhen gjykuar nga pasojat e tyre. Për çdo përgjithësim të veçantë gjenerik duhet të bëjmë dy pyetje. Së pari, sa shpesh na çon ai në gabim? Së dyti, sa të kushtueshme janë pasojat e këtyre gabimeve? Përgjigjet tona nuk do të na japin përgjigje përfundimtare - siç shpresonte Popperi - për pyetjen nëse duhet t’i rishikojmë besimet tona në përgjithësime. Por, nëse ndjekim këshillën e Popperit dhe kërkojmë në mënyrë aktive kundërshembuj, dhe përpiqemi t’i falsifikojmë ato për të dëshmuar forcën e tyre, atëherë ato mund të shërbejnë si udhërrëfyes, duke na ndihmuar të peshojmë rëndësinë e të pasurit të drejtë dhe pasojat e të gabuarit.

Nëse besoj se mushkonjat bartin virusin e Nilit Perëndimor, ka të ngjarë të jem gabim shumicën e kohës kur gjykoj se mushkonjat e veçanta janë bartëse të sëmundjes. Por, nëse më kafshon një mushkonjë që e bart virusin, mund të zhvilloj një sëmundje serioze. Megjithëse ka të ngjarë të jem gabim shumë herë, gabimi im ia vlen, sepse do të marr masa paraprake ndaj të gjitha mushkonjave, të infektuara ose jo. Kjo e zvogëlon gjasën që të prekem nga sëmundja.

Pastaj, merreni parasysh një stereotip për një grup shoqëror: skocezët pinë tepër. Sipas një njoftimi për shtyp që përmbledh një raport të vitit 2025 nga Shëndeti Publik i Skocisë, “njerëzit në Skoci pinë 50 përqind mbi kufijtë e sigurt”. Stereotipi mund të më çojë të bëj gjykime të sakta në shumë raste, por, kur marrim parasysh kostot e gabimeve që bëj, dështimi im për t’i trajtuar ata skocezë si individë dhe për t’u përqendruar tek ata dhe rrethanat e tyre personale i dëmton ata. Në të vërtetë, ky dështim nganjëherë pretendohet se përbën gabimin e qenësishëm të stereotipizimit. Kostot e gabimeve të mia nuk është e nevojshme të përballohen nga unë që unë t’i marr ato parasysh. Prandaj, besimet e mia gjenerike, për kategoritë shoqërore, mund të kenë nevojë të përmbushin një standard më të lartë sesa ato për, të themi mushkonjat, pasi moralisht ka më shumë rrezik kur bëj gabime për njerëzit e tjerë.

Fëmija që i afrohet një XL Buli duke pritur që ai të sillet si Golden Retriveri i tij miqësor, po bën një gabim të rrezikshëm sepse ka mbipërgjithësuar nga përvojat e tij me kafshën e tij të zbutur. Kostot e atij gabimi mund të jenë shumë të larta. Por, ajo që ky shembull errëson është se janë të vërteta shumë nga përgjithësimet që fëmija bën mbi bazën e përvojave të tij me kafshën e tij: qentë lehin, qentë kanë katër këmbë, qentë hanë mish, qentë kanë qime. Nëse fëmija nuk do t’i nxirrte ato përfundime nga provat e tij, pa dyshim të pakta, njohuria e tij për botën do të varfërohej rëndë. Ajo që ka rëndësi është që fëmija t’i testojë këto përgjithësime kundrejt provave të reja. Dhe, megjithëse mund të jetë e pamatur, pikërisht duke iu afruar XL Bulit ai mëson për gabimin e tij. Poperi do ta kishte miratuar.

Nevoja jonë për të përgjithësuar është në tension me kërkesën që ta respektojmë autonominë e njëri-tjetrit. Ky është një tension midis një detyrimi kognitiv - për ta thjeshtuar përvojën dhe, kështu, për ta bërë të kuptueshme - dhe një detyrimi moral - për ta trajtuar njëri-tjetrin si individë në gjithë veçantinë e tyre të pasur. Është e lehtë të ngatërrohet një dështim moral me një dështim kognitiv, por kur kritikojmë dikë për mbipërgjithësim apo edhe për stereotipizim, duhet të kujtojmë se sa thelbësore është ajo shkurtore kognitive. Edhe stereotipat janë pjesë e sistemit me të cilin takohemi me të ardhmen. Ta braktisnim atë sistem, në tërësi, do të thoshte të humbnim mjetet e brendshme që na mundësojnë të përqendrohemi tek ajo që është vërtet e re. /Telegrafi/