Nga: Richard Overy / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1980, isha i ftuar - së bashku me një grup historianësh - në një konferencë në Harvard mbi temën “Të njohësh armiqtë e tu.” Shumë shpejt zbuluam se konferenca financohej nga CIA e cila dëshironte të kuptonte nëse mund të mësonte, nga historia, se pse kishte dështuar plotësisht të parashikonte rrëzimin e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi - gjatë revolucionit iranian të një viti më parë - dhe pasimin e tij me një shtet fundamentalist islamik. Në fund të tre ditëve me diskutime, një zyrtar i lartë i CIA-s na u drejtua. Ata kishin mësuar shumë pak, pohoi ai, nga dëgjimi i historianëve. Në vend të kësaj, ata po punonin në disa kërkime interesante mbi trurin e gorillave - studim që dukej shumë më premtues.


Është pikërisht kjo çështje e dështimit amerikan që Scott Andersoni ndjek në librin e tij Mbreti i mbretërve [King of Kings] - në rrëfimin e tij brilant për dy vitet e trazuara që sollën triumfin e Ajatollah Homeinit [Ruhollah Khomeini] dhe krijimin e një republike islamike. Megjithëse, në mënyrë të pashmangshme, ai nuk ka qasje në dokumentet e Ajatollahut dhe ndjekësve të tij militantë, ai ka bërë kërkime të detajuara mbi muajt e fundit të sundimit të zbehur të Shahut.

Por, ajo çfarë atë e intereson më shumë është politika amerikane ndaj Iranit, pasi ai e sheh reagimin amerikan si një seri të mundësive të humbura, të komunikimit të dështuar dhe të një organizimi të paaftë. CIA merr kritikat më të veçanta, pasi vepronte në Iran pa as edhe një person që fliste gjuhën - ndërsa më tepër ishte e shqetësuar në monitorimin e Bashkimit Sovjetik në veri të Iranit, meqë Lufta e Ftohtë dukej se ishte boshti qendror i politikës së jashtme amerikane. Parashikimi i një ringjalljeje islamike në Lindjen e Mesme, nuk ishte fare në regjistra.

Një nga arsyet për këtë keqkuptim të vendit kishte të bënte me besimin e Amerikës tek Irani. Shahu ishte komandant i ushtrisë së pestë më të madhe në botë të armatosur me pajisje amerikane; ai kishte një shërbim të gjerë dhe të fuqishëm sekret, dhe qasje në të ardhurat e mëdha nga nafta. Që nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX, Shahu ndërmori një program madhështor modernizimi, duke ia kthyer shpinën traditave islame të shtetit dhe besimit të miliona nënshtetasve të vet.

Kthimi drejt Perëndimit nxiti përhapjen e korrupsionit në mesin e një elite të pasur dhe të përkëdhelur, duke e zgjeruar deri në një humnerë të rrezikshme hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Zëri kryesor që denonconte këtë qasje pro-perëndimore ishte Ajatollah Homeini, i larguar nga Irani në vitin 1964, por i vendosur në Irakun fqinj; incizimet e predikimeve të tij të dhunshme dhe të zemëruara kontrabandoheshin në Iran. Për Homeinin dhe fanatikët e tjerë myslimanë, Perëndimi ishte Djalli - në kuptimin e fjalëpërfjalshëm - dhe Shahu ishte shërbëtori i Satanait.

Andersoni është shumë i mirë në përshkrimin e shumë prej figurave amerikane në këtë skenë. Shumë pak prej tyre kishin ndonjë ide se Shahu nuk ishte, siç e përshkroi presidenti Jimmy Carter në fund të vitit 1977, “një ishull stabiliteti në një rajon të trazuar.” Dhe, kryesisht u shpërfillën ata të paktët që e kuptonin se pjesa më e madhe e iranianëve të varfër dhe të përkushtuar në aspektin fetar, nuk ishin të kënaqur të ndiqnin karvanin e Shahut drejt Perëndimit.

Ndër ta kryesori ishte diplomati i ri, Michael Metrinko, i vetmi amerikan në listën e pagave të qeverisë në Iran që dinte të fliste gjuhën farsi. Nga posti i tij i izoluar konsullor në Tabriz, Metrinko vëzhgoi se shpërthimet e para të dhunës popullore nxiteshin nga të varfrit ruralë - ata që kishin migruar në qytete në vitet ‘70 të shekullit XX, për punë sa për të mbijetuar, dhe që mbështeteshin nga xhamitë e vogla lokale ku klerikët i nxisnin të refuzonin Shahun. Metrinko dërgonte rregullisht paralajmërime në Ambasadën në Teheran; këto u injoruan. Atij i thanë të mos e turbullonte ujin dhe, si rezultat, Uashingtoni mori shumë pak sinjale për atë që po ndodhte në Iran jashtë pallatit të praruar.

Andersoni reflekton mbi atë nëse Mbreti i mbretërve apo gruaja e tij, Farah Pahlavi, e kuptonin vërtet se sa pakënaqësi të madhe kishte ndaj sistemit monarkik. Ndoshta po, që të dy, më shumë ajo sesa ai falë daljeve të shpeshta të saj jashtë mureve të pallatit. Por, ishte e lehtë për ata të mohonin gjendjen e brishtë të sistemit shoqëror të vendit kur këndvështrimi i tyre kufizohej brenda kufijve të gjerë të pallatit. Andersoni intervistoi mbretëreshën e moshuar në shtëpinë e saj në Shtetet e Bashkuara, e cila tani pranon se kishte mundësi të humbura për të zgjidhur pakënaqësinë e popullit. Në atë kohë ajo mund të bënte pak - bashkëshorti i saj nuk e pëlqente ndërhyrjen e saj - por, gjithsesi ishte e qartë se hapësira për veprim e çiftit mbretëror po ngushtohej me shpejtësi deri në vitin 1978.

Për të kuptuar se pse ishte një udhëheqës islamik fundamentalist ai që u bë sfida kryesore për Shahun, Andersoni ka përdorur farmacistin i pro-perëndimor, Ebrahim Yazdi, si një pikë hyrëse. Megjithëse jetonte dhe punonte në Amerikë, Yazdi ishte një mysliman i devotshëm që shpresonte të shihte fundin e sundimit të Shahut, ndërsa ishte zëdhënës për komunitetin e madh iranian në mërgim që kishte lidhje me Ajatollah Homeinin.

Pikërisht falë përpjekjeve të tij për ta promovuar Homeinin, ai fitoi një profil gjithnjë e më të lartë në Iran, dhe, më vonë, në vitin 1978, ishte Yazdi ai i cili e solli në Paris pasi u dëbua nga Iraku. Këtu, Homeini arriti të vendoste një oborr që vizitohej nga një mori gazetarësh dhe ndjekësish nga komunitetet iraniane në mërgim. Imazhi i tij publik si një klerik i ashpër dhe i papajtueshëm, e vendoste atë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Shahun dhe, deri në vitin 1978, ai kishte fituar miliona ndjekës të rinj mes të varfërve dhe të pambrojturve në Iran. Udhëheqësit më të moderuar klerikë në Iran shpresonin të gjenin ndonjë kompromis, por Homeini ishte Lenini i revolucionit iranian: jo tranzicion, por një përmbysje e plotë revolucionare.

Gjatë gjithë vitit 1978 dhe në javët e para të vitit 1979, shpërthimet e herëpashershme të dhunës dhe protestat masive duhej ta kishin paralajmëruar Amerikën që të ishte më pak e qetë. Ndryshimi në perceptimin amerikan erdhi shumë vonë - sipas Andersonit, tepër vonë. Të fiksuar pas Luftës së Ftohtë, zyrtarët e Uashingtonit e shihnin agjitacionin si të frymëzuar nga komunistët, çka i verboi plotësisht diplomatët dhe ushtarët amerikanë teksa përgatiteshin për një grusht shteti komunist. Ideja se zelli fetar mund të sillte një regjim krejtësisht ndryshe, nuk fitoi terren deri më 1 shkurt 1979, kur vetë Ajatollahu zbriti në Iran (duke shpallur republikën islamike dy muaj më vonë). Ankthi mes ndjekësve të tij se ende mund të vritej, bëri që ai të mbërrinte i veshur me jelek të rëndë antiplumb, dhe kleriku i moshuar mezi zbriti nëpër shkallët e aeroplanit.

Por, nuk kishte asgjë të brishtë në politikën e tij. Andersoni nuk kursen në përshkrimin e tij se sa shpejt u zhvillua revolucioni dhe me çfarë dhune hakmarrëse kundër kujtdo që akuzohej për ndjenja pro-amerikane apo anti-islamike. Të gjitha revolucionet prodhojnë një gjykatës që var, dhe asnjëri nuk ishte më entuziast se xhelati i zgjedhur nga Ajatollahu, Sadegh Khalkhali. Meqë Ajatollahu besonte se ata që ishin kontaminuar nga Satanai nuk kishin të drejtë të jetonin, mijëra vetë u vranë në javët e para. Diplomatët amerikanë, të marrë peng, mund të kishin hyrë në listën e të vdekurve, por u liruan rreth një vit më vonë. Ndoshta nuk është e habitshme që plebishiti për të konfirmuar Republikën e re Islamike fitoi 98.2 për qind të votave. Irani sot është ende një shtet autoritar, teokratik, që ka mbijetuar mbi dyzet vjet përballë armiqësisë së Perëndimit.

Andersoni gjen fajin te mënyrat e shumta të reagimit amerikan, por ia vlen të shtrohet pyetja se çfarë alternative kishte për Shahun dhe për mbijetesën e interesave amerikane. Andersoni në të vërtetë nuk sugjeron doçka, megjithëse është në mënyrë të duhur kritik ndaj gabimeve. Ndërhyrja ushtarake, menjëherë pas përfundimit në Vietnam, do të kishte qenë jopopullore dhe e kushtueshme; një kuptim më i mirë për fuqinë e besimit fetar vetëm do ta kishte përshpejtuar tërheqjen amerikane, meqenëse Amerika kishte pak gjëra për t’i ofruar diçka një lëvizjeje që ashiqare ishte anti-perëndimore. Suksesi i Ajatollahut e transformoi botën myslimane në Lindjen e Mesme me një valë të militantizmit fetar. Tani, përsëri, Irani është në përplasje me Perëndimin, por kësaj here super-bombat amerikane po bien mbi objektiva iraniane dhe ndërrimi i regjimit shihet si një mundësi në Uashington. Duket se gorillat më në fund janë nën kontroll. /Telegrafi/