Nga: James A. Gagliano, ish-agjent mbikëqyrës special i FBI-së dhe kontribuues në Fox News / The New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Pas katër sulmeve të ndara terroriste në dy javët e fundit në territorin e ShBA-së, amerikanët janë të shqetësuar.


Kjo më kthen në vitin 2003 dhe në një bazë të shkretë në Kost të Afganistanit, ku mora në pyetje një cak të vlefshëm ndërsa shërbeja me ekipin elitar të FBI-së, Ekipi i Shpëtimit të Pengjeve.

“Ti do të kthehesh në vendin tënd. Por, kjo luftë do të të ndjekë edhe atje”, deklaroi i ndaluari përmes një përkthyesi.

“Ne mund të jemi të durueshëm. Ju amerikanët sigurisht që nuk jeni. Ne do t’ju presim derisa të lodheni. Dhe, lufta do të vazhdojë”.

Ai kishte të drejtë.

Më 1 mars, një islamist radikal dhe qytetar i natyralizuar nga Senegali qëlloi në një bar në Ostin të Teksasit, duke vrarë tre persona.

Më 7 mars, dy adoleshentë aspirantë xhihadistë nga Pensilvania - fëmijë të qytetarëve të natyralizuar nga Afganistani dhe Turqia - hodhën bomba të bëra në shtëpi ndaj policëve dhe protestuesve jashtë rezidencës Grejsi në Nju-Jork [“Gracie Mansion”, shtëpia ku jetojnë kryetarët e Nju-Jorkut].

Të enjten, islamistë radikalë në Virxhinia dhe Miçigan kryen dy sulme të pavarura: në njërin rast, një terrorist i dënuar nga Sierra Leone, i frymëzuar nga ISIS-i, vrau një instruktor të dekoruar të ROTC-it [Korpusi i Trajnimit të Oficerëve Rezervë]; në rastin tjetër, një person i armatosur - qytetar i natyralizuar nga Libani - u përpoq të përplaste automjetin e tij të mbushur me eksplozivë në një çerdhe hebraike.

Vini re elementin e përbashkët: të gjithë këta sulmues ishin ose qytetarë të natyralizuar ose pasardhës të tyre.

Dhe, në çdo rast, sulmi ishte i parashikueshëm dhe i parandalueshëm.

Kjo nuk është kritikë ndaj forcave të rendit; ata duhet t'ia qëllojnë çdo herë - kurse sulmuesit, vetëm një herë.

Dhe, një komb i ndërtuar mbi liritë civile dhe dispozitat e Amendamentit të Katërt për privatësinë duhet të përballojë rreziqet e këtyre lirive bashkë me përfitimet e tyre.

Megjithatë, pa dyshim që ne vetë e kemi sjellë këtë murtajë mbi veten.

Ne refuzojmë me këmbëngulje të pranojmë se kërcënimi terrorist brenda kufijve tanë ushqehet nga jashtë, i frymëzuar nga ata që na urrejnë dhe që duan të na shohin të vdekur.

Mos gaboni - kjo luftë është asimetrike dhe Irani nuk është i vetmi që e shtyn atë.

Sa më shpejt të pranojmë se islami radikal ka qenë në luftë me Perëndimin për shumë më gjatë sesa ka qenë gjallë kushdo që po e lexon këtë shkrim, aq më shpejt mund të fillojmë ta përballojmë më mirë këtë kërcënim.

Mbështetja e Amerikës për Izraelin pas 7 tetorit dhe përpjekjet tona aktuale për të dobësuar dhe shkatërruar ëndrrën bërthamore të regjimit iranian kanë shërbyer si një alarm për xhihadistët.

Kur ne pretendojmë se kufijtë nuk ekzistojnë, akterë të këqij si Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani gëzohen.

Qelizat e fjetura mbeten një nga kërcënimet më të mëdha për vendin, me mision afatgjatë sabotimin, spiunazhin dhe kryerjen e akteve terroriste.

Por, individët “e vetë-radikalizuar” janë ndoshta pjesa edhe më e rrezikshme e strategjisë më të gjerë islamiste.

Interneti u përcjell mesazhe nga ISIS-i dhe grupet e tjera të “xhihadistëve” të pakënaqur, të zhgënjyer dhe të ndjeshëm ndaj bindjes, pikërisht në shtëpitë e tyre amerikane.

Këta radikalë të manipuluar nuk kanë nevojë të marrin urdhra; ata dëgjojnë këngën joshëse dhe veprojnë sipas interpretimit të tyre - pa pasur nevojë për komunikim të drejtpërdrejtë me organizata të huaja terroriste.

Dhe, pasi administrata Biden kaloi shumë vite duke shpenzuar burime për kërcënimin fantazmë të supremacisë së bardhë, islami radikal mbetet i përhapur në mënyrë të egër dhe këmbëngulëse.

Prisni më shumë nga ajo që kemi përjetuar në dy javët e fundit - sepse për rrjetet terroriste, vëmendja dhe propaganda janë monedha e pushtetit.

Që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj civilëve izraelitë dhe përfshirja e përfaqësuesve të tjerë terroristë të Iranit për të shkaktuar kaos në Lindjen e Mesme, ISIS-i ka mbetur pa oksigjenin e publicitetit.

Kjo është arsyeja pse FBI-ja ia ka atribuuar një pjesë të madhe të rritjes së fundit të sulmeve xhihadiste brenda vendit Shtetit Islamik: ai ka shumë nevojë të shihet dhe të dëgjohet mes luftës së vazhdueshme kundër Iranit.

Ndërkohë, “empatia vetëvrasëse” e Amerikës, një shprehje e krijuar nga Gad Saad për të përshkruar dhembshurinë e tepruar dhe të verbër që sistemi ynë ligjor i emigracionit nxit, po shkakton dëme të mëdha.

Ne kemi bërë shumë pak për të trajtuar mungesën e integrimit të disa komuniteteve emigrante dhe edhe më pak për të luftuar prirjen e myslimanëve që respektojnë ligjin për të toleruar radikalët në mesin e tyre.

Gjithashtu kemi lejuar që thirrjet e vazhdueshme të së majtës për “islamofobi” të përhapen në kulturën tonë.

Kam dëgjuar nga shumë policë se dëshmitarët ndihen gjithnjë e më hezitues për të raportuar kërcënimet e mundshme tek autoritetet, nga frika se do të konsiderohen fanatikë, racistë ose islamofobë.

Kjo duhet të ndryshojë.

Kërcënimi i terrorizmit në Amerikë është “më i lartë tani sesa ka qenë në dekada”, tha javën e kaluar senatori Ted Cruz (republikan nga Teksasi).

Kjo është e vërtetë: jo vetëm bazuar në këto incidente të fundit, por në inteligjencën e besueshme që FBI ka mbledhur gjatë 25 vjetëve të mia në byro dhe gjatë dekadës që nga atëherë.

I ndaluari në vitin 2003 kishte të drejtë në mënyrë rrëqethëse. Lufta vazhdon.

Ajo nuk u zhduk kurrë. Ajo është këtu.

Ne ose e pranojmë këtë dhe e përballojmë - ose do të shkatërrohemi nga injoranca e qëllimshme dhe empatia vetëvrasëse. /Telegrafi/