Më shumë mikroplastikë në shishet prej qelqi sesa në ato plastike apo kënaçe: ja çfarë këshillojnë ekspertët
Burimi kryesor i kontaminimit janë kapakët, të cilët lirojnë grimca gjatë prodhimit dhe ruajtjes. Ekspozimi ndaj mikroplastikës mund të shkaktojë probleme shëndetësore të lidhura me metabolizmin, riprodhimin dhe funksione të tjera të trupit
Pijet e paketuara në shishe qelqi, në fakt, përmbajnë shumë më tepër mikroplastikë sesa ato të paketuara në shishe plastike ose kënaçe, sipas një studimi të publikuar këtë muaj në revistën Journal of Food Composition and Analysis. Studiuesit besojnë se kapakët mund të jenë shkaku kryesor.
Mikroplastika, grimca të vogla plastike me gjatësi më pak se 5 milimetra gjenden kudo: në oqeane, tokë, ushqim dhe ajër.
Problemet shëndetësore që shkakton mikroplastika
Mund të hyjë në trup në mënyra të ndryshme dhe lidhet me probleme shëndetësore si:
▪ infertiliteti
▪ çrregullimet hormonale
▪ sëmundjet kardiovaskulare
▪ kanceri
“Ky studim vë në pikëpyetje supozimin e zakonshëm se ambalazhi prej qelqi është automatikisht më i sigurt. Komponentë si kapakët mund të jenë burimi kryesor i ekspozimit ndaj mikroplastikës”, thotë Nicole Sparks, doktoreshë shkencash dhe pedagoge e asociuar e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit në punë, në Shkollën e Shëndetit Publik Joe C. Wen, Universiteti i Kalifornisë, transmeton Telegrafi.
Metodologjia dhe rezultatet e studimit
Për të vlerësuar ndikimin e ambalazhit në sasinë e mikroplastikës në pije të ndryshme, studiues francezë përdorën mikroskop të posaçëm dhe analiza kimike për të ekzaminuar ujë, pije të gazuara, çaj të ftohtë, limonadë, verë dhe birrë të shitura në Francë.
Rezultatet treguan se të gjitha mostrat përmbanin mikroplastikë, por përqendrimet ndryshonin sipas llojit të paketimit:
- ▪ Pije të gazuara, çaj i ftohtë, limonadë dhe birrë - kishin shumë më tepër mikroplastikë kur paketoheshin në shishe qelqi; në disa raste, deri në 50 herë më shumë sesa në shishe plastike ose kënaçe.
- ▪ Uji - shishet e qelqit kishin pak më shumë mikroplastikë sesa ato plastike, por uji ishte pija më pak e kontaminuar në të gjitha grupet.
- ▪ Vera - në ambalazh kartoni kishte më shumë mikroplastikë, megjithëse niveli i përgjithshëm ishte relativisht i ulët për të gjitha mostrat.
Për shembull, një shishe plastike me ujë mund të përmbajë rreth 1,6 grimca mikroplastike për litër (MP/L), ndërsa një shishe qelqi me limonadë mund të përmbajë mbi 100 MP/L.
Studimi analizoi vetëm mikroplastikën, jo nanoplastikën, grimca edhe më të vogla që kërkojnë hulumtime të mëtejshme.
Si futet mikroplastika në shishet e qelqit?
“Prisnim rezultatin e kundërt”, thotë autorja kryesore e studimit, Izlin Shaib, doktorante në Agjencinë Franceze për Ushqimin, Mjedisin dhe Shëndetin në Punë.
Sipas studiuesve, shkaku kryesor mund të jetë kapaku:
▪ Prodhuesit shpesh përdorin bojë për të mbuluar kapakët metalikë të shisheve prej qelqi, dhe këto substanca mund të lëshojnë grimca plastike në pije.
▪ Mikroplastika e gjetur shpesh kishte të njëjtën ngjyrë, formë dhe përbërje polimeri si bojërat e përdorura në kapakë.
▪ U vunë re gërvishtje të imëta në shumë prej tyre.
Kapakët lëshojnë grimca me bazë poliestëri gjatë prodhimit, ruajtjes ose hapjes, ndoshta nga fërkimi dhe konsumimi. Pas pastrimit të kapakëve, niveli i mikroplastikës ra ndjeshëm nga 287 MP/L në 106 MP/L kur u frynë kapakët, dhe deri në 87 MP/L kur u lanë me ujë dhe alkool.
Në verë, përdorimi i tapës së drurit në vend të kapakut shpjegon nivelet shumë më të ulëta të kontaminimit.
Megjithatë, pastrimi ose heqja e kapakut nuk e zgjidh plotësisht problemin, grimcat mund të vijnë edhe nga ajri, uji i ndotur, përbërësit ose pajisjet në fabrikë. Prandaj, studiuesit mendojnë se prodhuesit duhet të rishikojnë proceset për të mbrojtur konsumatorët.
Pasojat e ekspozimit ndaj mikroplastikës
Mikroplastika është gjetur në të gjithë trupin e njeriut - në gjak, qumësht gjiri, traktin tretës dhe indet e mushkërive. Mënyra kryesore e hyrjes në trup është gëlltitja me ushqim ose pije. Studimet tregojnë lidhje të mundshme me:
▪ inflamacion
▪ stres oksidativ
▪ probleme me mikrobiomën e zorrëve
▪ çrregullime metabolike, riprodhuese dhe zhvillimore
Me kalimin e kohës, mikroplastika mund të akumulohet dhe të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve kronike, në varësi të madhësisë, formës, përbërjes kimike dhe faktorëve të tjerë.
Nga çfarë është më e sigurt të pish?
Sipas vlerësimeve, njerëzit ekspozohen çdo vit ndaj 39.000-52.000 grimcave mikroplastike vetëm përmes ushqimit.
Edhe pse ky studim sugjeron se uji në shishe plastike mund të ketë më pak mikroplastikë sesa në qelq, një studim amerikan i vitit 2024 tregoi se uji i ambalazhuar plastik përmban mesatarisht 240.000 grimca plastike (kryesisht nanoplastikë). Mikroplastika është gjetur edhe në ujin e rubinetit, por në përqendrime më të ulëta.
Këshillat e ekspertëve për të ulur ekspozimin
Sipas Nicole Sparks:
▪ Asnjë ambalazh nuk është pa rrezik, por mund të ndërmerren hapa për ta ulur ekspozimin.
▪ Në shtëpi, përdorni gota qelqi, çelik inox ose bambu për pijet.
▪ Kur përdorni enë plastike, shmangni larjen në enëlarëse ose ngrohjen në mikrovalë, për të mos liruar mikroplastikë.
▪ Konsumoni pije dhe ushqime të freskëta, të papërpunuara.
/Telegrafi/































