Shtrirja “Kobra” forcon shtyllën kurrizore, hap kafazin e kraharorit dhe mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrimit. Gjithashtu është një shtrirje e shkëlqyer për ata që kalojnë shumë kohë ulur

Shtrirja “Kobra” ose Bhujangasana është një nga ushtrimet e shtrirjes që mund të largojë dhimbjen e shpinës, veçanërisht në pjesën e poshtme. Ky ushtrim mund të kryhet edhe në kushte shtëpie dhe, sidomos në fillim, është e rëndësishme ta bëni ngadalë dhe vetëm aq sa ua lejon trupi dhe dhimbja. Përndryshe, përpjekja e tepërt mund ta përkeqësojë gjendjen e shtyllës kurrizore.


Shtrirja “Kobra” është ilaç për muskujt e tendosur

Bhujangasana, ose shtrirja “Kobra”, është ushtrim për shtrirjen e shtyllës kurrizore dhe muskujve që e mbështesin atë. Ushtrimi fillon duke u shtrirë barkas mbi dyshek, me fytyrën nga poshtë dhe me pëllëmbët vendosur nën supe. Më pas, duke shtypur lehtë dyshemenë me duar, ngrihet pjesa e sipërme e trupit, pra ngrihen kraharori dhe gjoksi, duke e përkulur trupin butësisht mbrapa. Në këtë mënyrë shtrihen muskujt e barkut dhe hapet gjoksi. Ijët duhet të mbeten të mbështetura në tokë, ndërsa supet të relaksuara. Qëndroni në këtë pozicion për disa frymëmarrje përpara se të uleni ngadalë përsëri.

Dhimbja e shpinës zakonisht është shenjë e muskujve të tendosur ose në spazëm, prandaj shtrirja është mjeti i duhur për ta lehtësuar këtë gjendje. Në fillim mund të bëni një përkulje të vogël kur ngrini trupin, por më vonë përpiquni të arrini këndin e plotë, si në shembullin e ilustruar më poshtë.

Shtrirja “Kobra” është ushtrim për shtrirjen e shtyllës kurrizore dhe muskujve që e mbështesin atë, transmeton Telegrafi.

Përfitimet dhe kundërindikacionet

Shmangni shtrirjen “Kobra” nëse jeni shtatzënë, nëse keni frakturë në kyçe ose brinjë, nëse vuani nga sindroma e tunelit karpal ose keni kryer së fundi një ndërhyrje kirurgjikale në bark.

Sa i përket përfitimeve, kjo shtrirje forcon shtyllën kurrizore, hap kafazin e kraharorit dhe mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrimit. Gjithashtu është një ushtrim i shkëlqyer për personat që kalojnë orë të tëra ulur.

/Telegrafi/