Tarifa bazë prej 10 për qind zbatohet për të gjitha vendet, përveç Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.

Është konfirmuar se të gjitha tarifat mbi 10 për qind janë pezulluar për 90 ditë për të gjitha vendet, përveç Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.


Norma prej 10 për qind përfaqëson tarifën bazë doganore, e cila ka hyrë në fuqi më 5 prill, shkruan bbc.

Sipas një burimi nga Shtëpia e Bardhë, kjo normë bazë nuk ka ndikuar kurrë mbi Kanadanë dhe Meksikën dhe as tani nuk do të ndodhë – kështu që të dyja vendet mbeten të përjashtuara nga tarifa bazë prej 10 për qind.

Tarifat që ishin vendosur më parë kundër Kanadasë dhe Meksikës në kuadër të luftës kundër krizës së fentanilit mbeten në fuqi, raporton skynews.

Tregtia brenda marrëveshjes USMCA (SHBA-Meksikë-Kanada) vazhdon të jetë e liruar nga tarifa, ndërsa për mallrat jashtë kësaj kornize vazhdon të aplikohet tarifa prej 25 për qind.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për BBC se tarifa e vetme që do të aplikohet ndaj Bashkimit Europian do të jetë tarifa bazë prej 10 për qind e vendosur më 5 prill.

Ndryshe, SHBA-ja i ka vendosur edhe Kosovës tarifë doganore prej 10 për qind. /Telegrafi/