“Shtabi i Përgjithshëm” në Serbi - nis gjyqi ndaj ministrit të Vuçiqit për projektin e braktisur nga familja Trump

Ministri serb i Kulturës, Nikola Selakoviq, dhe tre zyrtarë të tjerë janë përballur me gjykatën nën akuza për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim hapjen e rrugës për një projekt ndërtimi që duhej të financohej nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Projekti parashikonte ndërtimin e një kompleksi luksoz në vendin e ish-Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë në qendër të Beogradit, por Kushner më pas u tërhoq nga investimi, raporton nova.rs.
Plani ishte mbështetur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili e paraqiti atë si një hap për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por ai u kundërshtua fuqishëm nga publiku dhe organizatat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm, vepër e arkitektit Nikola Dobroviq, konsiderohet monument i arkitekturës moderniste dhe është e mbrojtur ligjërisht.
Të akuzuarit dyshohet se në vitin 2024 kanë hequr në mënyrë të paligjshme statusin e mbrojtjes së objektit.
Ata rrezikojnë deri në tre vjet burg dhe janë deklaruar të pafajshëm. Gjyqi zhvillohet në një klimë tensionesh politike, protestash masive dhe shqetësimesh për cenimin e pavarësisë së drejtësisë në Serbi. /Telegrafi/
















































