LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët janë trima, të ndershëm e besnikë dhe kanë veshjet më të bukura në botë!

Shqiptarët janë trima, të ndershëm e besnikë dhe kanë veshjet më të bukura në botë!
Bajroni me veshje shqiptare

Dorian Koçi

Filozofi dhe esseisti i njohur anglez, Francis Bacon (1561-1626), në esenë e tij mbi “Udhëtimet” shkruan se udhëtimi për moshat e reja është pjesë e edukimit, në moshat e vjetra është pjesë e eksperiencës. Që prej asaj kohe udhëtimi i njohur ndryshe dhe me emrin “Grand Tour” ishte kthyer në një mjet e përvojë edukuese për të rinjtë e aristokracisë angleze. Mirëpo, në fillim të shekullit XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour”-it pësoi një ndryshim themelor.

Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të Perandorisë Otomane u bënë të modës. Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore. Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur.

Lord Byroni si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër, i gjendur në Maltë në fillimet e “Grand Tour”-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Një eksperiencë tjetër shumë e rëndësishme e “Grand Tour”-it ishte mbajtja e rregullt e korrespodencës me miqtë në atdhe, ku atyre u përshkruhej dhe u jepeshin detaje të shumta kulturore, gjeografike, etnografike për viset që vizitonin.

Francis Bacon në esenë e tij “Udhëtimet” që në shekullin e XVI këshillonte se është një gjë e çuditshme, që në lundrimet në det, ku nuk ka asgjë për t’u parë, përveç se qielli dhe deti, njerëzit duhet të shkruajnë ditarë; ndërsa gjatë udhëtimeve tokësore, ku ka aq shumë gjëra për t’u vërejtur, në shumicën e rasteve ata i anashkalojnë; sikur mundësia ishte provues për t’u regjistruar, se sa të vëzhguarit.

Për këtë arsye, lejoni ditarët të futen në përdorim. Gjërat për të parë dhe vëzhguar janë: oborret e princave, sidomos kur ata japin audienca për ambasadorët; gjykatat e drejtësisë, ndërkohë që ata ulen dhe dëgjojnë shkaqet; po kështu këshilli papal; kishat dhe manastiret, me monumentet të cilat janë aty me ekzistencën e tyre; muret dhe fortifikimet e qyteteve dhe qytezat, dhe kështu qiejt dhe portet; antikitetet dhe rrënojat; bibliotekat; kolegjet, polemikat dhe leksionet, kudo që janë; transporti dhe flotat detare; shtëpitë dhe kopshtet e shtetit dhe të kënaqësisë pranë qyteteve të mëdha; armaturat; arsenalet; depot; shkëmbimet; bursat; magazinat; ushtrimet e kalërimit, skermë, trajnimi i ushtarëve, e të tjera si; komedi, duke qenë gjëja më e mundshme për t’u bërë nga njerëzit; thesaret, bizhuteritë dhe veshjet; mobile dhe gjëra të rralla; dhe, për të përfunduar, çdo gjë që është e paharrueshme në vendet ku ata shkojnë.

Kjo ese shumë e njohur në Anglinë e Romantizmit, ku udhëtimi i “Grand Tour”-it kishte marrë dhe një hov më të madh për shkak të përmirësimit të mjeteve të komunikacionit, sigurisht që duhej të ishte e njohur për Lord Byronin pasi në udhëtimet e tij shikojmë një përputhje midis këshillave të Backonit dhe vendeve që viziton si dhe mbajtjes së ditarit dhe korrespodencës.

Kështu, kur Lord Byron vizitoi Pashallëkun e Janinës në tetor 1809, ai filloi të mbante ditar dhe i shkroi një letër së ëmës ku fliste për Shqipërinë.

Mahnitja romantike e anglezit 21-vjeçar në tokën e shqiptarëve, bëri që në letra e tij të konsiderohet si një sinops i dy kantove të para të “Child Haroldit” që do t’i niste në Janinë dhe do t’i përfundonte në 1812.

Në letër ai ka shprehur magjepsjen romantike pas Pashait të Janinës, arsyet pse erdhi në Shqipëri, si dhe aventurat e befasitë që hasi te shqiptarët. Letra e Byronit dërguar së ëmës nga Preveza është një dëshmi e ndijimeve që ai pati rreth shqiptarëve dhe që më vonë ai i hodhi mjeshtërisht në letër, në formën e vargjeve në poemën e tij të famshme “Shtegtimet e Child Haroldit. Në letrën e tij dhe vargjet e poemës ndihen gjurmët e krijimit të heroit të tij bajronian, por edhe të lirisë si koncept vetjak dhe universal.

Romantizmi, rryma letrare që përqafoi Byroni, ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore, vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime.

Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi.

Heronjtë bajronianë jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të deluzionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por, ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi. Për botën shqiptare kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri Shqipëri dhe shqiptar.

Letrën e Byronit dërguar së ëmës mund ta lexoni më poshtë:

Zonjës Catherine Gordon Byron, Prevezë, 12 nëntor 1809

Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi: ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar Pashanë. Lashë Maltën në luftanijen “Spider” më 21 shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla: është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë.

I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male, të një vendi me bukurira nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën në kalanë e Beratit.

I kishin thënë se një anglez nga derë e madhe ndodhej në principatën e tij, dhe i kishte dhënë urdhër komandantit në Janinë të më bënte konak e të më pajiste me të gjitha të mirat gratis; dhe ndonëse më kanë lejuar t’u jap peshqeshe robërve, nuk më kanë lejuar të paguaj asgjë send për harxhet e tjera. Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve; janë pallate madhështore, por të stolisura së tepërmi në ar e në mëndafshe.

Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshat me manastir ortodoks (ku fjeta në të kthyer), në më të bukurin vend që kam pare (përveç Cintrës në Portugali). Të nëntën ditë arrita në Tepelenë. Na u zgjat shumë udhëtimi prej shirave e rrëpirave që prisnin udhën. Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën pesë kur po perëndonte dielli.

Më solli në mend (me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Branksemenë këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposht, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e mujezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive – të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka. Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj.

Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht, më shërben për këtë rast. E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re (turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf)?

Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë- shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime.

Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit.

Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por, karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonaparti muhamedan.

Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonaparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij.

Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik.

Po ata janë mizorë, ndonëse jo të pabesë, dhe kanë shumë mangësi, por asnjë poshtërsi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura, por i kanë në vend të skllaveve. I rrahin, me një fjalë i përdorin si kafshë samari. Ato lërojnë e çajnë tokën, ato mbjellin. I kam parë të ngarkuara me dru dhe tek ndreqin rrugët e prishura. Burrat janë të gjithë ushtarë dhe lufta e gjahu janë zanati i vetëm.

Gratë merren me punë, por kjo nuk duhet t’i lodhë shumë në një klimë aq të këndshme. Dje, më 11 nëntor, bëra banjo në det. Sot është kaq nxehtë sa po të shkruaj në odë me hije, në shtëpi të konsullit anglez, me tri dyer të hapura fare, pa zjarr. As zjarrishte s’ka në odë, veç për të gatuar. Nesër nisem me një rojë pesëdhjetë trimash për në Patrë të Moresë dhe pastaj për në Athinë, ku do të kaloj dimrin. Dy ditë më parë desh u mbyta në një luftanije turke, nga budallallëku i kapedanit, ndonëse shtrëngata s’qe dhe aq e rreptë..

Kapedani ia dha të qarit dhe u ul në gjunjë dhe na tha t’i faleshim perëndisë, velat u grisën, katarti dridhej, era frynte, po afrohej nata, dhe s’na mbetej t’ia mbanim për në Korfuz që është në dorë të francezëve ose të fundoseshim siç tha Fleçeri në mënyrë patetike: në “varr prej uji”. Unë bëra çmos ta ngushëlloja, por duket se s’ja mbushja dot kokën, u mbështolla me brucën shqiptare (një shark i madh) dhe u shtriva shesh për të pritur mynxyrën. Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’kish dobi.

Për fat të mirë era rreshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në sterë. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t’u zë besë naftëve turq, megjithëse Pashai pati udhëzuar galeotë të tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Misolongji nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra.

E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të të zbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t’i radhit në kokë, as t’i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke. Në udhë e sipër banova një herë dy ditë rresht, dhe prapë tri ditë në një barakë në Sallahorë dhe s’kam parë ushtarë kaq të lirë në paragjykimet fetare, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam pare plot ushtarë spanjollë, francezë, siçilianë dhe anglezë.

Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin: Fleçerin, një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Holbhousin, në asnjë mënyrë s’deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur ju luta të pranonte pak zekina mu përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”.

Këto qenë fjalët e tija. Çudi se sa pak shkon paraja në këtë vend. Kur u ndodha në kryeqytet, me urdhër të vezirit nuk më lanë të paguaj asgjë. Ndonëse gjithnjë pata gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe gjashtë-shtatë veta pas, harxhet s’kanë qenë as gjysma e atyre të tri javëve në Maltë, sido që Sir A. Balli, guvernatori, më dha një shtëpi pa qira dhe pata vetëm një shërbëtor. Biri yt i dashur Byron.

P.S. Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kryes, me dorën e djathtë në zemër, të afërmit puthen sa here piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë, u bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë një letër për të atin në More, për të cilin kam letër dhe prej Ali Pashës.