Kombëtarja e Shqipërisë U-21 regjistroi një fitore fantastike në udhëtim ndaj Zvicrës me rezultatin 2-1. Një ndeshje e luftuar deri në frymën e fundit nga kuqezinjtë që falë këtij triumfi rihapin garën për kualifikim në Kampionatin Evropian “Sllovaki 2025”.

Në Lozanë në stadiumin “Stade de la Tuiliere”, lojtari që vulosi fitoren e madhe të Shqipërisë ishte Adrion Pajaziti, me dy supergolat e tij.


Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Zvicrës U-21: Klidman Lilo (GK), Ajdi Dajko (C), Feta Fetai, Tim Civeja, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Paulo Buxhelaj, Elmando Gjini, Marcelino Preka dhe Usni Ismaili.

shqiperia u21 2

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe ishte skuadra e Zvicrës që gjeti e para rrugën e rrjetës. Surdez zhbllokoi takimin në minutën e 16-të.

Shqipëria vendosi baraspeshën vetëm pas dy minutash falë një goli spektakolar nga Adrion Pajazitin. Një aksion model i ndërtuar nga Kombëtarja U-21, që u finalizua me gol nga mesfushori kuqezi.

Trajneri Bushi kreu zëvendësimin e parë në minutën e 20-të. Kapiteni Dajko doli nga fusha i dëmtuar dhe u aktivizua Elton Fikaj. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.

shqiperia u21

Pjesa e dytë nisi me një tjetër ndryshim për Shqipërinë. Nga loja doli Usni Ismaili dhe u aktivizua Geralb Smajli.

Shqipëria mori avantazhin në minutën e 69-të me një tjetër gol spektakolar nga Adrion Pajaziti. Mesfushori kuqezi rikuperoi topi dhe me një goditje nga distanca shënoi golin e fitores dhe të dytin personal në këtë sfidë.

Zvicra U-21 fitoi një 11-metërsh në minutën e 85-të por portieri Klidman Lilo ishte i pakalueshëm dhe ndali goditjen e sulmuesit Nikolas Muci. Në fund takimi u mbyll 2-1 për Shqipërinë.

shqiperia u21 1

Një fitore e madhe e kuqezinjve që shkojnë 13 pikë në Grupin E, po aq sa Finlanda dhe një pikë me pak se vendi i dytë që mbahet nga Zvicra.

Shqipëria U-21 do të luajë edhe takimin e fundit në këto kualifikuese më datë 15 tetor ndaj Armenisë. Kuqezinjtë do të tentojnë fitoren e radhës për të shpresuar deri në fund te kualifikimi në Evropianin “EURO Sllovaki 2025”. /Telegrafi/

telegrafi sport app