LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria ‘legalizon’ kriptovalutat e bashkë me to edhe riskun për pastrimin e parave

Shqipëria ‘legalizon’ kriptovalutat e bashkë me to edhe riskun për pastrimin e parave

Autoritetet shqiptare kanë vendosur që të rregullojnë me ligj, një fushë që deri tani ishte jashtë ndonjë kuadri rregullator.

Në Kuvend ka mbërritur Projektligji për Tregjet Financiare të bazuara në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë, i cili legjitimon kriptovalutat. Në relacion thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.


Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga Teknologjia e Regjistrave të Shpërndarë (Distributed Ledger Technology), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion.

Deri tani, në Evropë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Evropian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019. Por paralelisht me këtë, relacioni pranon se siç ka përfitime ka edhe rreziqe.

“Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet”, thuhet në relacion.

Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.

Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave. /Monitor/