LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, ndryshohet ligji për akcizat

Shqipëri, ndryshohet ligji për akcizat

Ligji i ri për akcizat, që synon rritjen e elementëve të sigurisë së produkteve është miratuar të hënën nga komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Miratimi i ndryshimeve të bëra në këtë ligj, është kundërshtuar nga opozita, e cila kërkoi që ndryshimet të mos miratohen.

Deputetja Mimi Kodheli, tha se ndryshimet janë bërë referuar kontratës koncensionare të miratuar nga ministria e Financave pak kohë më parë, ndërsa ajo nuk është dekretuar ende nga presidenti.

"Nuk ka se si komisioni të miratojë ndryshime në një ligj, kur ende ky ligj nuk ka hyrë në fuqi, pasi nuk është dekretuar ende nga presidenti", deklaroi Kodheli.

Pavarësisht kërkesës, mazhoranca miratoi e vetme ndryshimet pa praninë e opozitës. Drejtoresha e Politikave Fiskale në ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, tha se ndryshimet në ligj synojnë përmirësimin e tregut. Ajo sqaroi se ndryshimet parashikojnë vendosjen e një kodi sigurie për sa i takon prodhimit të birrës në vend dhe jo një pulle fiskale. Kjo përfshin ato biznese që prodhojnë mbi 500 mijë shishe birre në vit.


Projektligji parashikon që prodhuesit apo importuesit e këtyre mallrave duhet të parapaguajnë pullat fiskale që do të dërgohen nga koncesionari.

"Pulla e kontrollit të barnave duhet të përmbajë detyrimisht, të paktën, elementet e dukshme, si: emrin dhe formën, çmimin e shitjes me pakicë (përfshirë TVSH-në), identifikimin e prodhuesit apo të importuesit të autorizuar me anën e kodit dyshifror, numrin serial të dukshëm të referencës", tha Dyrmishi. /Telegrafi/