Shpërthen Voska Sport: "Po shqyrtojmë largimin nga kampionati!"
Pas ndeshjes me plot tension me Vardarin në kuadër të xhiros së 28-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, skuadra e Voska Sport ka reaguar ashpër ndaj gjykimit, duke akuzuar arbitrat për vendime të njëanshme që sipas tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjesm njofton Telegrafi.
Klubi nga Ohri ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë për të tërhequr ekipin nga kampionati.
Në një reagim zyrtar të publikuar sot, Voska Sport evidenton disa momente të cilat i konsideron si vendime skandaloze nga ana e arbitrit kryesor Stojançe Stojanov dhe ndihmësve të tij Aleksandar Gjorgjeski dhe Martin Petkovski:
Anulimi i një goli të rregullt – Sipas video pamjeve të postuara në “Facebook”, lojtari i Voska Sport nuk e prek topin me dorë, por megjithatë goli anulohet pa arsye të qartë.
Rast identik në anën tjetër – Vetëm një minutë më vonë, një lojtar i Vardarit prek topin me dorë, por loja vazhdon pa u ndëshkuar.
Penallti e mohuar – Një faull brenda zonës ndaj lojtarit të Voska Sport nuk gjykohet si penallti.
Gol i dhënë pa kaluar topi vijën fundore – Arbitri akordon gol për Vardarin, edhe pse topi nuk e kalon vijën fundore të portës.
“Këto janë vetëm disa nga rastet që dëshmojnë për standarde të dyfishta që u aplikuan gjatë ndeshjes,” theksohet në reagimin e klubit, duke shtuar se incidente të tilla nuk janë të izoluara, por janë përsëritur gjatë gjithë sezonit.
Përfundimisht, Voska Sport njofton se është në proces të shqyrtimit të vazhdimit ose jo të pjesëmarrjes në kampionat, ndërsa vendimi përfundimtar do të bëhet i ditur në ditët në vijim. /Telegrafi/






























