Rreth 40 gra të familjeve që janë strehuar që nga paslufta në një bllok banesor në lagjen Dardania të Prishtinës, kanë mësyrë mbrëmë shtëpinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Në një audio-incizim të cilin e ka siguruar Ekonomia Online, dëgjohet biseda të tensionuara e grave që fajësojnë Shpend Ahmetin me bindjen se ai ka diçka kundër tyre dhe se ai ka urdhëruar lirimin e atyre banesave.


Për këtë rast, Ahmeti ka shkruar në profilin e tij në Twitter: “Mbrëmë rreth 21:00 prapë te shtëpia erdhën familjet e Dardanisë.  Prapë i kishte gënjyer dikush”.

Siç vërehet nga incizimi, grave që hynë në pronën private, u del Ahmeti për t’ju dhënë sqarime. Por, mënyra e komunikimit degradon në nervozizëm, meqë këta banorë fajësojnë Ahmetin i cili sqaron se nuk mund të ndikojë në vendimet gjyqësore dhe se premton se do të bëhet zgjidhje për strehim vetëm për familjet që janë raste sociale.

Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke larguar 12 familje nga banesat në lagjen “Dardania”, që i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë. Në ditët në vazhdim pritet që të dëbohen edhe familjet e tjera.

Janë gjithsej 131 banesa në këtë bllok të ndërtuar në vitet 1990-të e dedikuar refugjatëve serbë nga Bosnja dhe Hercegovina.