Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar qytetarët se ditëve të fundit disa zona të qytetit janë përballur me shkyçje të ndriçimit publik nga ana e KEDS-it, si pasojë e pamundësisë për të kryer pagesat e faturave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, situata ka ardhur si rezultat i përmbarimit të mjeteve komunale në kuadër të zbatimit të Kontratës Kolektive, e cila ka rënduar ndjeshëm buxhetin e komunës.


Vetëm gjatë vitit 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë përmbaruar mbi 3.5 milionë euro, që përfaqëson më shumë se 50 për qind të buxhetit vjetor të investimeve kapitale, përcjell Telegrafi.

Sipas kryetarit të komunës, Ferit Idrizi, kjo ka pamundësuar kryerjen e pagesave të rregullta ndaj KEDS-it për ndriçimin publik.

Ai ka bërë të ditur se komuna po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për normalizimin e situatës. Në këtë kuadër, është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake dhe destinimit të një pjese të tyre për pagesën e faturave të energjisë elektrike.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe shpresojmë që shumë shpejt situata të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e kryetarit Idrizi.

Komuna ka siguruar qytetarët se po punon për zgjidhjen e menjëhershme të problemit dhe parandalimin e shkyçjeve të mëtejshme. /Telegrafi/