Vardari e shkatërron Shkupin 6–1 – një “derbi” vetëm me emër, sepse Shkupi nuk është më ai rival që dikur e ndizte qytetin, njofton Telegrafi.

Në terrenin e qendrës stërvitore “Petar Miloshevski”, Vardari demonstroi force ndaj një Shkupit të rënë thellë në krizë, ndoshta më të madhen që kur mban këtë emër. Pa sponsor stabil, pa futbollistë konkurrues dhe pa asnjë strukturë që mund ta mbajë në garë, Shkupi sot është larg asaj skuadre që dikur e bënte derbin të dukej i barabartë.

Që në minutat e para, të dyja ekipet patën nga një gjysmë-rast, por rrezik real nuk pati. Vardari mori iniciativën, ndërsa Shkupi u mbyll prapa duke tentuar të mbijetonte. Situata u përkeqësua kur u lëndua kapiteni Suhel Muharemi, një goditje tjetër për një ekip tashmë të varfër në alternativë në bankinë.


Vardari me Zakariqin shënoi dy gola brenda 70 sekondash, i pari nga rreth 20 metra me devijim, ndërsa i dyti pas një topi të kaluar mbi mbrojtjen, 2:0 .

Pjesa e dytë nisi me gol. Në minutën e 47-t, nga pika e bardhë, Mihail Talevski e çoi rezultatin në 3:0. Dhjetë minuta më vonë, pas një topi të kthyer në shtyllën e dytë, Omëragiqi u la i vetëm para portës dhe shënoi për 4:0.

Shkupi arriti vetëm një gol nderi me anë të Mario Stankovskit, i cili shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit Talevski 4:1. Por kjo ishte e gjitha nga një ekip i lodhur, i dëmtuar dhe pa identitet. Omëragiqi shënoi sërish për 5:1, ndërsa në minutën e 84-t kompletoi hat-trikun për rezultatin përfundimtar 6:1.

Vardari ruan kreun e tabelës me 39 pikë, një më shumë se Struga, ndërsa Shkupi është i “ngrirë” në fund me vetëm një pikë, shembulli më i qartë se ky nuk është më derbi, por një përballje mes një ekipi në ngritje dhe një tjetri në shpërbërje. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app