Shkrimtarja JK Rowling dhuron 17 milionë euro për kërkimet shkencore lidhur me sklerozën multiple

JK Rowling ka dhuruar 18.8 milionë dollarë (17 milionë euro) për të mbështetur kërkimet shkencore në klinikën e emërtuar sipas nënës sa saj, Anne Rowling, në Universitetin e Edinburghut.
Klinika për neurologjinë regjenerative, "Anne Rowling", është themeluar në vitin 2010, pikërisht me donacion të autores së librave për Harry Potter.
Ndërsa donacioni i saj më i ri do të ndihmojë në zhvillimin e përmbajtjeve të reja dhe do të mbështesë kërkimet për sklerozën multiple - njofton BBC News.

Skleroza multiple është një sëmundje demielinizuese, në të cilën janë të dëmtuar mbështjellësit e qelizave nervore në tru dhe në palcën kurrizore (medulla spinalis).
Ky dëmtim e pengon aftësinë e pjesëve të sistemit nervor që të komunikojnë duke shkaktuar një varg shenjash dhe simptomash fizike, mentale dhe nganjëherë edhe probleme psikiatrike.
Në simptomat specifike përfshihen problemet në shikim (nistagmus, vizion i dyfishtë, neurit optik), dobësia dhe spazmat muskulore, probleme me ndjesinë, koordinimin dhe baraspeshën, lodhje, dhimbje, vështirësi në kontrollimin e urinimit dhe defekimit, dhe shumë simptoma të tjera.

Nëna e shkrimtares, Anne Rowling, vdiq në moshë 45 vjeçare si pasojë e komplikimeve të lidhura me sklerozën multiple.
Prandaj, fokusi i kësaj qendre mjekësore janë gjendjet e ndryshme neurologjike, duke përfshirë edhe sklerozën multiple. /Telegrafi/



















































