KF Shkëndija nga Tetova vazhdon me intensitet përgatitjet për sezonin e ri, duke ndërtuar një skuadër të re që do të ketë për objektiv mbrojtjen e titullit kampion dhe një paraqitje dinjitoze në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, njofton Telegrafi.

Pjesë e fundit e ekipit kuqezi është talenti shkupjan Numan Ajeti, i cili i bashkohet Shkëndijës nga FC Shkupi. Mbrojtësi 19-vjeçar shkëlqeu sezonin e kaluar me 27 paraqitje në elitën e futbollit vendor dhe dy ndeshje në Kupën e Maqedonisë, duke shënuar gjithashtu dy gola. Ajeti ka luajtur edhe në akademitë e Vardarit të Shkupit dhe Novaci dhe konsiderohet një nga emrat më premtues të kampionatit.


Në anën tjetër, klubi nga Tetova ka konfirmuar largimin e dy futbollistëve. Zija Merxhani largohet pas përfundimit të kontratës, ndërsa palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët për rinovim. Edhe portieri Risto Jankov nuk do të jetë më pjesë e skuadrës, pasi pas marrëveshjes me drejtuesit është vendosur ndërprerja e kontratës për t’i dhënë lojtarit mundësinë të kërkojë më shumë hapësira diku tjetër. /Telegrafi/

telegrafi sport app