Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se me datë 18.01.2026, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale.

Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident.


"Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi", thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. /Telegrafi/