Llambro Zhupaj, një biznesmen i akuzuar për “Mashtrim” me pasoja të rënda, është deklaruar i pafajshëm nga gjykata e Sarandës, edhe pse prokuroria e këtij qyteti, kishte kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin e tij, me 5 vjet e 6 muaj burgim.

Prokuroria e Sarandës, ka akuzuar Llambro Zhupaj, për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda, pasi ky i fundit ka mashtruar në mënyrë të përsëritur ortakun e tij në biznes, shtetasin Vasil Qirko.

Sipas dosjes hetimore, Mentan Zhupaj, vëllai i Llambro Zhupaj, në datën 16 gusht 2006 dhe Vasil Qirko, kanë firmosur një kontratë për kryerjen e një investimi të përbashkët në qytetin e Sarandës.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati, i cili do ndërtohej me shpenzimet e përbashkëta të dy biznesmenëve dhe sipas marrëveshjes edhe fitimi do ishte i njëjtë, 50 me 50.

Por pasi pallati ka qenë në përfundim e sipër, Llambro Zhupaj, vëllai i Mentan Zhupaj, me të cilin Vasil Qirko kishte firmosur marrëveshjen e investimit, i ka shitur 25 hyrjet e apartamentit që i takonin Qirkos.

Sipas dosjes hetimore, Qirko nuk ka fituar asgjë nga investimi në pallatin e ndërtuar në Sarandë.

Kjo për shkak se të gjitha hyrjet janë shitur dhe për pasojë palët janë përfshirë në procese gjyqësore.

Vasil Qirko ka depozituar një kallëzim penal në prokurorinë e Sarandës, e cila pas hetimeve të kryera dhe ekspertimeve të vërtetësisë së firmave, ka dalë në konkluzionin se biznesmeni Vasil Qirko ishte mashtruar nga vëllai i ortakut të tij, Metan Zhupaj, shtetasi Llambro Zhupaj.

Prokurori i çështjes, vendosi të marrë të pandehur, Llambro Zhupaj për akuzën e “Mashtrimit” me pasoja të rënda, duke e dërguar si të pandehur në gjykatës së Sarandës.

Pas një seri seancash gjyqësore, në datën 5 korrik 2021, gjyqtari i çështjes Shkëlzen Liçaj, ka deklaruar të pafajshëm të pandehurin Llambro Zhupaj, megjithëse prokurori i çështjes në pretencën e tij kishte kërkuar dënimin me 5 vjet e 6 muaj burgim të Zhupaj.

Tashmë prokuroria e Sarandës ka ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit Gjirokastër kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë që nxori pa faj Llambro Zhupaj. /Ora News/