Shfuqizimi i pjesshëm i rregullores për parkingje në Prishtinë, GLPS jep detaje
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka njoftuar se ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilin është aprovuar padia e datës 10 mars 2025, për shfuqizimin e pjesërishëm të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës.
Në njoftimin e tyre thuhet se "ky vendim i Gjykatës Supreme është një fitore e madhe për misionin e Qendrës në mbrojtjen e interesit publik nga aktet nënligjore të kundërligjshme të autoriteteve publike, dhe gjetjet e Gjykatës sipas Padisë sonë do të shërbejnë si precedent për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me rastin e miratimit të Rregulloreve për menaxhimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve publike".
"Me aktgjykimin e datës 16 prill 2025, Gjykata Supreme i ka vlerësuar të bazuara pretendimet tona si paditës dhe ka konstatuar se 9 dispozita të aktit nënligjor i njohur në publik si Rregullorja e Prishtina Parkingut bien në kundërshtim me të drejtat kushtetuese, me parimin e ligjshmërisë dhe me standardet europiane për të drejtat e njeriut", bëhet e ditur në njoftim. Dispozitat e shfuqizuara pjesërisht ose në tërësi janë: Neni 1, Neni 14, Neni 15, Neni 8, Neni 12 paragrafi 1, Neni 12 paragrafi 9, Neni 22 paragrafi 1, Neni 22 paragrafi 8 dhe Neni 22 paragrafi 9 i Rregullores.
Nga Gjykata Supreme si dispozita të kundërligjshme dhe që cenojnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë vlerësuar dispozitat e Rregullores që përcaktojnë:
Kompetencën e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh,A të vendos bllokada në vetura për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut;
Lirimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh,A. nga përgjegjësia për kompensimin e dëmeve që eventualisht mund të shkaktohen nga personeli i saj në vend parkingjet publike;
Kompetencën e “Prishtina Parking-ut” për bllokim, debllokim dhe bartje te veturave që nuk paguajnë tarifën e parkingut;
Kompetencën e “Prishtina Parking-ut” për të menaxhuar me rastet e parkimit ilegal të veturave;
Kufizimin e kohës për shfrytëzimin e vend parkingjeve rezidenciale nga ana e vizitorëve;
Kufizimin e qasjes së qytetarëve në shërbime publike - vendparkingje - duke lënë si mundësi të vetme pagesën përmes telefonit. /Telegrafi/






























