Shefja e politikës së jashtme të BE-së thotë se vizita e mundshme e Putinit në Hungari “nuk është e mirë”

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të hënën se "nuk është mirë" që presidenti rus Vladimir Putin mund të udhëtojë në Hungari, anëtare të BE-së, për bisedime mbi luftën në Ukrainë.
Reagimi i saj vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se së shpejti do të takohet me Putinin në Budapest.
Kallas u tha gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm evropianë në Luksemburg se përpjekjet e Trump për të sjellë paqe ishin të mirëpritura, por se ishte gjithashtu e rëndësishme që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të takohej me udhëheqësin rus.
"Amerika ka shumë forcë për të ushtruar presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave, nëse ata e përdorin këtë, atëherë, sigurisht, kjo është mirë nëse Rusia e ndalon këtë luftë", tha Kallas, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se Putini përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nga e cila Hungaria është në proces të largimit.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se forcat e saj kanë kryer mizori në Ukrainë dhe argumenton se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka juridiksion mbi të.
“Lidhur me Budapestin, jo, nuk është mirë... të shohësh që një person i vënë në urdhër arresti nga GJPN-ja po vjen në një vend evropian”, tha Kallas, duke shtuar se “pyetja është nëse ka ndonjë rezultat”.
Ndërkohë, Zelensky ka thënë se do të ishte i gatshëm të shkonte në Budapest, nëse propozohej një takim trepalësh ose një format “diplomacie fluturuese”.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, gjithashtu ngriti shqetësim në lidhje me vizitën e mundshme të Putinit në një vend të BE-së.
“Le të shohim se ku do të mbahet takimi dhe në çfarë formati, por sigurisht që është e qartë se brenda zonës së BE-së një kriminel lufte, si Putini, nuk duhet të jetë i mirëpritur”, u tha ajo gazetarëve.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se udhëtimi i planifikuar i Putinit kishte kuptim vetëm nëse do të çonte në një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, ndërsa ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, u tha gazetarëve se “gjëja më e rëndësishme është që të kemi një tryezë negociatash”. /Telegrafi/

















































