Duke hequr sanksionet, Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa synuan të ulnin paqëndrueshmërinë dhe tensionin në rajon, i cili është ende një pikë e nxehtë - jo të financonin një "shfaqje kukullash".

Kështu shkruan SlobodnaBosnja, sipas të cilit portal, ndërsa zyrtarët e RS teknikisht mund të respektojnë kushtet jozyrtare të SHBA-së për lehtësimin e sanksioneve, do të jetë interesante të shihet se si do të reagojë administrata e Donald Trump kur ata shkelin frymën e këtij rregullimi.


Por, rikujton ky medium, duke cituar një shkrim të revistës amerikane Washington Examiner, presidenti Donald Trump nuk heziton të rivendosë dënime të ashpra kur ndjen se po ndodh manipulim.

“Siç e kemi parë në negociatat tregtare me Kinën, Trump nuk ka shumë ngurrime për rivendosjen e dënimeve të ashpra kur ndjen se po ndodh manipulim", është shkruar në këtë analizë.

Bëhet fjalë për një analizë të Washington Examiner rreth krizës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, në dritën e zgjedhjeve të fundit për presidentin e Republika Srpska, por edhe heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Siç thuhet më tej në shkrimin e cituar nga SlobodnaBosnja, Republika Srpska mbajti së fundmi zgjedhje dhe, megjithëse ka një president të ri, shefi mbetet i njëjtë: Milorad Dodik.

Dodik, vazhdon analiza, i cili u shpall i papërshtatshëm për post politik nga Përfaqësuesi i Lartë dhe sistemi gjyqësor në BeH, la presidencën në favor të një pasardhësi të zgjedhur me kujdes.

Ajo gjithashtu beson se Dodik e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi nxitjen e konfliktit dhe mosmarrëveshjeve midis RS dhe qeverisë shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës duke kujtuar se në disa raste, Dodik ka bërë thirrje për referendume për të mbështetur ose shkëputjen e RS ose refuzimin e institucioneve shtetërore.

Ai ka qenë subjekt i disa hetimeve për korrupsion dhe është përballur me akuza për mbështetje të rrjeteve kriminale.

Dodik gjithashtu mburret se takohet "rregullisht" me presidentin rus Vladimir Putin dhe ka përsëritur qëndrimin e Moskës se lufta e saj në Ukrainë është "shumë e justifikuar".

Siç kujtohet më tej në analizë, pavarësisht situatës aktuale, Donald Trump hoqi sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në tetor, dhe afërsisht në të njëjtën kohë, në koordinim me qeverinë, Dodiku dha dorëheqjen si president, duke lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa autoritetet e entitetit shfuqizuan ligjet e miratuara më parë jokushtetuese.

"Kjo situatë e jashtëzakonshme, me sa duket quid-pro-quo, i dha fund muajve të bllokimit midis Dodikut dhe autoriteteve të larta boshnjake për shkak të pushtimit të tij gjithnjë e më të paligjshëm të pushtetit. Sfida, megjithatë, është se problemet e Bosnjës nuk ndalen me Dodikun. Përveç krimeve financiare, ai dhe nacionalistë të tjerë serbë dhe zyrtarë të RS kanë promovuar një axhendë secesionizmi, përçarjeje dhe aleance me Moskën. Kjo përbën si një kërcënim për sigurinë rajonale ashtu edhe një rrezik zgjerimi për Bashkimin Evropian fqinj", paralajmëron teksti.

"Edhe pse zgjedhjet e fundit në RS u mbajtën pa Dodikun, ato u shënuan nga i njëjti nacionalizëm dhe agjitacion që ai mbështet, si dhe nga pjesëmarrja e ulët e votuesve dhe akuzat për 'manipulim masiv të votave'. Rezultati është një vazhdim i status quo-së. Pasardhësi i zgjedhur me kujdes nga Dodiku, Sinisha Karan, zuri vendin e tij. Në fakt, RS ka kryer ‘një transformim rus, në të cilin Dmitry Medvedev ia ngrohu karrigen presidenciale Vladimir Putinit nga viti 2008 deri në vitin 2012 për të shmangur kufizimet e mandatit rus’”.

Dodik madje bëri fushatë me premtimin se kur votuesit të votojnë për Karanin, ata do të 'votojnë për mua dhe politikat që kemi zbatuar deri më tani'", vazhdon analiza e zgjedhjeve të fundit në RS dhe pasojat e tyre të mundshme.

Ajo paralajmëron se pa kontrollet ekonomike të ofruara nga sanksionet e SHBA-së, "disa nacionalistë serbë mund të pritet të intensifikojnë retorikën e tyre të urrejtjes, korrupsionin dhe aktivitetet destabilizuese në të ardhmen". /Telegrafi/