LAJMI I FUNDIT:

SHBA-ja sërish shënon rekord të ri të rasteve të reja me COVID-19

SHBA-ja sërish shënon rekord të ri të rasteve të reja me COVID-19
Foto: Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar një rekord të ri prej 66 mijë rasteve të reja me COVID-19 të shtunën.

Në mesin e shteteve më të goditura janë Kalifornia, Teksasi dhe Florida.


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vizituar një spital ushtarak të shtunën ku është parë për herë të parë duke mbajtur maskë.

Ai më parë ishte kritikuar për mosmbajtje të maskës gjatë takimeve me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe gjatë paraqitjeve publike.

Vizita e tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara janë në një periudhë të vështirë dhe sfiduese të luftës kundër COVID-19.

Më shumë se 3.2 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, janë të infektuar me virusin COVID-19, derisa 134 mijë kanë humbur jetën.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, tha ditë më parë se rritja e numrit të të infektuarve dhe viktimave vjen pasi shumë shtete amerikane filluan rihapjen e bizneseve dhe lehtësimin e urdhrave të qëndrimit në shtëpi përpara se të shihnin një ngadalësim të shkallës së infeksionit. /REL/