SHBA fundos anijen e lidhur me kartelin Los Choneros në Paqësorin Lindor, publikohen pamjet e aksionit

Ushtria amerikane ka interceptuar, kontrolluar dhe më pas fundosur një anije në ujërat ndërkombëtare të Paqësorit Lindor, duke pretenduar se ajo përdorej si bazë logjistike për trafikimin e drogës nga organizata “Los Choneros”.
Komanda Jugore e SHBA-së, SOUTHCOM, njoftoi se operacioni u zhvillua më 2 shtator në bashkëpunim me qeverinë e Ekuadorit, transmeton Telegrafi.
Sipas autoriteteve amerikane, anija shërbente si një stacion lundrues furnizimi me karburant, duke mbështetur operacionet e paligjshme të trafikimit të drogës në det.
Inteligjenca amerikane, sipas SOUTHCOM, kishte konfirmuar se anija ishte duke mbështetur Los Choneros, një organizatë që Washingtoni e cilëson si grup të dhunshëm të trafikut të drogës dhe “narko-terrorist”.
Marinsat dhe pjesëtarët e Marinës amerikane nga anija USS San Antonio ndërhynë ndaj mjetit lundrues, e hipën në bord, e kontrolluan dhe e siguruan atë pa incidente.
Disa persona u nxorën nga anija dhe iu dorëzuan autoriteteve ekuadoriane.
Pasi të gjithë personat u larguan në mënyrë të sigurt, forcat amerikane e fundosën anijen.
On Sept. 2, at the direction of #SOUTHCOM Commander Gen. Francis L. Donovan, and in coordination and collaboration with the Government of Ecuador, Joint Task Force Western Hemisphere (JTF-WHEM) successfully interdicted a vessel operating as a floating refueling station in support… pic.twitter.com/io55pvWff0
— U.S. Southern Command (@Southcom) September 2, 2026
SOUTHCOM nuk bëri të ditur vendndodhjen e saktë të operacionit, por tha se aksioni kishte për qëllim të ndërpriste një prej nyjeve logjistike të rrjetit të dyshuar të trafikantëve.
Gjenerali Francis L. Donovan, komandant i SOUTHCOM, deklaroi se SHBA-ja po ndërmerr veprime vendimtare për të shkatërruar rrjetet logjistike të përdorura nga grupet narko-terroriste për trafikimin e drogës dhe përhapjen e dhunës në hemisferën perëndimore.
Pamjet e publikuara nga ushtria amerikane tregojnë momentin kur anija ndalohet, trupat hipin në bord dhe më pas mjeti lundrues fundoset.
Operacioni është pjesë e fushatës së administratës Trump kundër rrjeteve të trafikimit të lidhura me kartelet në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Sipas SOUTHCOM, gjatë muajve të fundit janë kryer dhjetëra operacione dhe goditje ndaj mjeteve lundruese që dyshohet se janë të lidhura me organizata të trafikut të drogës.
Vetëm javën e kaluar, ushtria amerikane njoftoi një tjetër goditje në Karaibe, ku u vranë katër persona të dyshuar si pjesëtarë të rrjeteve narko-terroriste.
Sipas të dhënave të cituara në raport, fushata amerikane kundër mjeteve të dyshuara si të lidhura me kartelet ka shkaktuar të paktën 227 viktima në 68 goditje të raportuara gjatë rreth një viti. /Telegrafi/







































