Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, Ariana Zhubi Roka foli rreth një teme mjaft të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve, hidratimi dhe ushqyerja gjatë temperaturave të larta verore.

Ajo theksoi se gjatë ditëve të nxehta, fëmijët kanë nevojë të shtuar për lëngje dhe ushqim të lehtë e të freskët, duke filluar nga uji – që është thelbësor për organizmin.


“Kur flasim për ushqimin, këshilloj gjithmonë që uji të mos anashkalohet asnjëherë, pasi fëmijët kanë nevojë të vazhdueshme për hidratim”, u shpreh Zhubi Roka.

Për bebet nën moshën gjashtë muajshe, ajo rekomandon vetëm gjidhënien, për sa kohë që gjithçka është në rregull.

“Nëse vërehet që diçka nuk është mirë, duhet menjëherë të konsultoheni me pediatrin”, shtoi ajo.

Sa i përket ushqimeve të përshtatshme për stinën e verës, Zhubi Roka vlerësoi frutat dhe perimet sezonale si të domosdoshme në dietën e fëmijëve.

“Kur flasim për fruta, gjithmonë ju them prindërve të mos harrojnë të përfshijnë shalqirin dhe trangullin – janë të thjeshta, gjenden lehtësisht dhe janë shumë të nevojshme për fëmijët”, theksoi ajo.

Ajo gjithashtu apeloi për kujdes në zgjedhjen e produkteve sa më organike, duke përmendur edhe sfidat që ekzistojnë sot në treg: “Fatkeqësisht, sot nuk mund të kontrollohet çdo produkt që hyn në treg, prandaj është me rëndësi që të përpiqemi të zgjedhim ushqime sa më të sigurta”.

Po ashtu, Zhubi Roka solli në kujtesë edhe një krahasim me të kaluarën: “Përpara jemi ushqyer shumë më mirë pasi shumë prej nesh i kemi pasur këto produkte të mbjella në kopshtet tona”.

Për më shumë ndiqni podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/