Shaip Kamberi pas rizgjedhjes deputet: Faleminderit pafund, bashkë ia dolëm

Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit që u bë në Tërnoc të Bujanocit.
Kamberi pasi fitoi mandatin e deputetit ka falënderuar të gjithë shqiptarët që të enjten, votuan për të dhe Koalicionin e Shqiptarëve të Luginë.
Lexoni të plotë postimin e Kamberit:
"Faleminderit pafund Qytetarëve të Lagjes së Strukarëve të cilët përtej bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve. Njëzëri. Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë. Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat ndëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar. Vëzhguesve të PVD-së, PD-së, LPD-së e APN-së për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke e ruajtur kështu të drejtën themelore të demokracisë - që mundësuan realizimin e votës së lirë. 28 Prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjjthë. Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët. Faleminderit! Bashkë ia dolëm".
Ndryshe, pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur votat e nevojshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë.
Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb.
Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.
Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13 mijë vota.
Për votimin e Kamberit, kishte bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë. /Telegrafi/

















































