LAJMI I FUNDIT:

Shafrani i Kosovës eksportohet edhe në Gjermani

Shafrani i Kosovës eksportohet edhe në Gjermani

Kultivimi i kulturave të reja bujqësore, të cilat nuk janë kultivuar më parë në Kosovë, viteve të fundit ka marrë hov. Kështu fermerët e rinj për të filluar me këto veprimtari i ka përkrahur programi “Mundësi të Reja në Bujqësi” i USAID-it. Qefsere Vuçitërna nga Keqekolla e Komunës së Prishtinës, merret me kultivimin e disa kulturave bujqësore. Ajo përdallim me disa fermerë të tjerë, ka arritur që të kombinojë kulturat e reja që i kultivon.

Kjo fermere tregon se kultivon shafran, asparagus dhe mjedër nga të cilat thotë se ka leverdi. “Ne për dallim me fermerët e tjerë kultivojmë disa kultura, aktualisht kam të mbjellë 50 ari me shafran, 50 me asparagus si dhe 1 hektar me mjedër. Ka leverdi nga të tria këto kultura por që duhet punë dhe angazhim për t’i kultivuar”, thekson Vuçitërna.


Ajo pret që në prill diku të bëjë vjeljen e asparagusit prej të cilit pret edhe rendimente. Qefsere Vuçitërna tregon se edhe me shafran janë ndarë të kënaqur, por që kjo kulturë ka pak treg në vendin tonë. “Vitin e kaluar e kemi shitur të gjithë shafranin kryesisht e kemi eksportuar në Shqipëri, Gjermani dhe vende te tjera, pasi në Kosovë ka shumë pak treg për këtë kulturë”, tha ajo për portalin Ferma Ime.

Fermerja Vuçitërna tregon se gjatë kultivimit të shafranit ka rreziqe të shumta si nga bletët, uri e po ashtu edhe nga temperaturat. “Me treg nuk kemi pas problem gjatë këtij viti, presim që edhe vitin tjetër të mos kemi probleme për shitjen e prodhimeve tona”, ka thënë Qefsere Vuçiterna.

Për të filluar me këto veprimtari në fillimet e saj, kësaj fermereje i ka ndihmuar USAID-i respektivisht programi “Mundësi të Reja në Bujqësi”, ku e kanë përkrahur me fidanë të këtyre kulturave si dhe me këshilla praktike rreth kultivimit të tyre. “Këtë më 2015 për herë të parë do të fillojmë për herë të parë kultivimin e një lloji të mjedrës, bledbery, cila nuk është kultivuar më parë. Me këtë kulturë planifikojmë ti mbjellim 50 ari”.

Ajo tregon e përveç një makine për tharjen e luleve të këtyre perimeve nuk është përkrahur me tjetër gjë nga ministra e bujqësisë.

Ndryshe, edhe Ministria e Bujqësisë, sivjet krahas sektorëve tjerë, ka zgjeruar përkrahjen edhe në sektorin e pemëve, duke përfshirë edhe kultura bujqësore, të cilat nuk i ka mbështetur deri më tash.

Përveç mollës, mjedrës dhe manaferrës, të cilat janë mbështetur edhe viteve të mëhershme, sivjet e kanë mbështetur përmes granteve investive edhe kulturën e dardhës, vishnjës dhe kumbullës. /FermaIme/Telegrafi/