Migena Aleksi

Ndërsa shumë liderë bien nën peshën e krizave të brendshme dhe izolimit ndërkombëtar, Nicolás Maduro ka mbetur i palëkundur në pushtet. Si ia doli të sfidojë Perëndimin dhe të mbijetojë politikisht për më shumë se një dekadë?


Kur Donald Trump paralajmëroi “të gjitha opsionet në tavolinë” për ta larguar Nicolás Maduron nga pushteti në Venezuelë, shumë liderë botërorë menduan se fundi i regjimit të tij ishte çështje kohe. Por, jemi në fund të vitit 2025 dhe Maduro jo vetëm që vijon të mbajë pushtetin, por edhe ka rigjetur hapësirë për të forcuar kontrollin mbi institucionet e vendit.

Maduro e mori detyrën në vitin 2013, pas vdekjes së udhëheqësit karizmatik Hugo Chávez. Që nga ajo kohë, Venezuela ka përjetuar një rënie dramatike ekonomike: inflacion galopant, mungesa ushqimore dhe mjekësore, emigrim masiv (mbi shtatë milionë venezuelianë janë larguar nga vendi) dhe një rënie të fortë të standardit të jetesës.

Megjithatë, Maduro ka mbijetuar politikisht përmes një kombinimi të fortë kontrolli mbi ushtrinë, drejtësinë, median dhe institucionet zgjedhore, si dhe falë mbështetjes nga disa shtete të fuqishme si Rusia, Kina dhe Irani.

Gjatë viteve të presidencës së Trumpit (2017-2021), ShBA-ja ndërmori sanksione të ashpra ekonomike ndaj Karakasit dhe njohu opozitarin Juan Guaidó si president të përkohshëm. Pati edhe mbështetje për një grusht shteti të dështuar në vitin 2019. Megjithatë, Maduro mbeti në kontroll.

CNN shkruan se, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme ushtarake dhe presionit ndërkombëtar, Maduro “sfidoi të gjitha pritshmëritë” duke u rikthyer si figurë qendrore në rajon. Ai përdori taktikën e dobësimit gradual të opozitës, përçarjes së saj dhe asgjësimit të rivalëve përmes gjykatave dhe sigurisë shtetërore.

Në vitin 2023 dhe më tej, me rritjen e çmimit të naftës dhe nevojën e tregjeve ndërkombëtare për burime energjie pas krizës në Ukrainë, Perëndimi filloi të shfaqë fleksibilitet. Disa sanksione ndaj sektorit të naftës u lehtësuan. Kompanitë amerikane si Chevron rifilluan aktivitetin në vend.

Maduro e shfrytëzoi këtë hapësirë për të rifituar legjitimitetin ndërkombëtar dhe për të forcuar kontrollin e brendshëm, ndërsa e paraqiti veten si garant të stabilitetit dhe sovranitetit venezuelian.

Në vitin 2024 u mbajtën zgjedhje presidenciale të cilat u kritikuan për mungesë transparence dhe përjashtim të kandidatëve opozitarë, por Maduro u shpall fitues. Kjo i dha atij një tjetër mandat deri në 2030. Opozita e fragmentuar nuk arriti të imponojë një strategji të përbashkët.

Analistët thonë se Maduro nuk ka krijuar një sistem të qëndrueshëm, por më tepër një regjim të bazuar te mbijetesa taktike dhe te frika. Ekonomia mbetet e brishtë dhe varësia nga eksportet e naftës është e lartë. Por për momentin, Maduro ka fituar kohë.

Historia e tij është një dëshmi se lidershipi autoritar, nëse është i aftë të manovrojë mes presioneve dhe të shfrytëzojë dobësitë e kundërshtarëve, mund të mbijetojë edhe në kushte ekstreme.

Sa do zgjasë kjo mbijetesë dhe me çfarë çmimi për Venezuelën? A do ta ndihmojnë aleancat e tij strategjike të përballojë presionet e reja? Apo kriza e zgjatur do të thellojë pakënaqësitë e brendshme?

E vështirë të parashikohet, por për momentin në një vend të polarizuar dhe në një skenë gjeopolitike gjithnjë e më komplekse, përballë një bote të ndarë dhe me prioritete të reja, ajo që dëshiron administrata Trump duket larg përfundimit. /Gazeta “Dita”/