Seriali “Bëje Tënden” - kur arti i prek plagët e vërteta të pronësisë në Kosovë

Seriali televiziv “Bëje Tënden”, i realizuar në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për të drejtat pronësore nga ATRC dhe projekti PIAKOS, po sjell në ekran një prej temave më të ndjeshme që prekin familjet kosovare: barazinë në trashëgimi dhe ndarjen e drejtë të pronës.
Me gjashtë episode të bazuara në situata reale, seriali synon të ofrojë jo vetëm dramë dhe emocion, por edhe informim ligjor dhe ndërgjegjësim publik.
Në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, producenti Fisnik Ademi dhe aktori Avdullah Gjikokaj folën për procesin, sfidat dhe rëndësinë e projektit.
Producenti Fisnik Ademi pranon se hyrja në temën e pronësisë nuk ishte e lehtë për një ekip që zakonisht merret me humor apo komedi. Ademi pranon se për ekipin krijues tema ishte jashtë zonës së tyre të zakonshme.

“Sinqerisht, jam thirr në këtë projekt, por në këtë fushë nuk kam pasur shumë njohuri për problemet pronësore në shoqërinë tonë. Gjatë procesit kam mësuar shumë – si producent, si aktor dhe si pjesë e ekipit. Misioni ynë ka qenë që secili episod të ketë një mesazh dhe të trajtojë një temë konkrete të lidhur me të drejtat pronësore”, thotë ai, duke treguar se procesi ka qenë një eksperiencë mësimi edhe për vetë ekipin.
Ai shton se çdo episod është punuar me kujdes të veçantë dhe me konsultime të vazhdueshme me ATRC-në, në mënyrë që përmbajtja të jetë e saktë dhe sa më pranë realitetit dhe është pasur kujdes që gjithmonë të harmonizohet.
“Gjatë rrugës kemi mësuar shumë – madje edhe vetë kemi identifikuar probleme pronësore brenda familjeve tona”, ka theksuar Ademi.
Në qendër të serialit janë konfliktet familjare dhe përplasjet që lindin nga mënyra se si trashëgohet prona.
Pikërisht këtu hyn roli i Avdullah Gjikokajt, një personazh i frymëzuar nga situata që, sipas aktorit, ende janë të pranishme në shumë familje të Kosovës.
“Jam i një gjenerate që e ka parë se si janë trajtuar çështjet e pronës në familje. Shumë prej nesh janë rritur me situata ku vajzat shpërfillen dhe pronat diskutohen vetëm për djemtë”, thotë ai.
- YouTube www.youtube.com
Gjikokaj interpreton një baba që nuk i ndan pronat drejt, një rol që ai e quan të dhimbshëm, por real.
“Nuk kam rolin pozitiv – luaj një baba që nuk i ndan drejt. Është realitet i dhimbshëm. Mentaliteti ‘qikat shkojnë te burri’ ende ekziston… fatkeqësisht”, u shpreh Gjikokaj.
Një nga mesazhet më të forta të serialit është vendosja e ligjit mbi traditën. Gjikokaj thotë se në episodin ku ai luan, vendimi final jepet nga gjykata dhe jo nga zakonet e trashëguara.
“Unë përmenda Kanunin jo rastësisht. Ai mentalitet ka mbetur nëpër familje, edhe në vendet ku sot ka ligj dhe institucione funksionale. Kam edhe raste konkrete që njerëzit më kanë kontaktuar duke më kërkuar ‘pleqnarë’ për me zgjidh probleme pronësore – gjë që s’ka asnjë bazë sot. Seriali i prek këto tema në thelb. Në episodin ku luaj unë, gjykata jep vendim… mesazhi është: jo Kanuni, por ligji vendos”, thotë Gjikokaj.
Edhe producenti Ademi thekson se qytetarët kanë nevojë të shohin situata reale të shpjeguara në mënyrë të qartë, që t’i kuptojnë të drejtat e tyre.
“Publiku ka nevojë të shohë situata reale të përkthyera në gjuhë të thjeshtë”, u shpreh Ademi.

Produksioni ka qenë një proces i madh në vetvete. Seriali është xhiruar për rreth katër muaj në disa lokacione, me mbi 150 persona të përfshirë në ekip.
“Xhirimet kanë qenë në ditë shumë të nxehta – 40 gradë. Pavarësisht kësaj, atmosfera ishte e shkëlqyer”, u shpreh Gjikokaj.
Sipas tyre, pavarësisht vështirësive ekipi ka funksionuar pa probleme dhe puna ka ecur me profesionalizëm.
Episodet e para janë transmetuar tashmë dhe kanë tërhequr interes dhe reagime të shumta nga publiku.
Producenti Fisnik Ademi tregon se njerëzit janë identifikuar me temat e trajtuara dhe shpesh kanë debatuar për situatat e paraqitura.
“Reagimet kanë qenë shumë pozitive. Shumë njerëz janë identifikuar me situatat. Publiku merr anë dhe diskuton drejtësinë e rasteve, pikërisht këtë e kemi synuar – ndërgjegjësim dhe debat publik”, u shpreh Ademi.

Të dy folësit shprehen se seriali ka një mision të qartë edukues, ndërsa Gjikokaj dha një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun.
“Sot të gjithë dinë shkrim-lexim dhe të gjithë kanë qasje në institucione. Nuk ka arsye të kthehemi te mentalitetet e vjetra. Nëse ka probleme pronësore, zgjidhja është te ligji, te gjykata, jo te ‘pleqnarët’. Mos i përsëritni gabimet e gjeneratave të vjetra”, tha aktori Gjikokaj.
“Bëje Tënden” po vjen si një nga përpjekjet më të strukturuara për t’i trajtuar problemet e pronësisë nga këndvështrimi artistik dhe ligjor njëkohësisht.
Një serial që jo vetëm argëton, por edhe sfidon zakone të vjetra synon të ndryshojë mënyrën se si shoqëria i sheh të drejtat pronësore. /Telegrafi/











































