Sulmuesi i Borussia Dortmund, Serhou Guirassy, ishte protagonist në fitoren e rëndësishme ndaj Atalantës, duke shënuar që në minutën e tretë të takimit.

Por ajo që bëri më shumë jehonë nuk ishte vetëm goli, por dedikimi i tij prekës.


Pas realizimit, Guirassy ngriti fanellën dhe zbuloi një mesazh të shkruar në bluzën e brendshme:

“Qoftë i pranuar në parajsën e Tij të gjerë. Amen”.

Mesazhi ishte një homazh për mbesën e tij, Aissata Guirassy, e cila ka ndërruar jetë së fundmi.

Në një intervistë për Amazon Prime pas ndeshjes, reprezentuesi i Guinesë konfirmoi se dedikimi ishte për vajzën e vëllait të tij të madh.

“Është një periudhë shumë e vështirë për familjen tonë”, ka thënë Guirassy me emocion, duke shtuar se familja po qëndron pranë vëllait të tij në këtë moment të dhimbshëm.

Gjatë intervistës, Guirassy shpesh ngrinte sytë drejt qiellit dhe e kishte të vështirë të fliste për humbjen.

“Jeta mund të jetë e ashpër, por ajo vazhdon dhe duhet të përpiqemi të jemi të fortë. Të gjithë do të vdesim një ditë”.

Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, u shpreh se nuk kishte dijeni për situatën personale të sulmuesit.

“Nuk di asgjë për këtë, prandaj nuk mund të them asgjë”, ka thënë Kovac pas ndeshjes.

Pavarësisht dhimbjes personale, Guirassy po kalon një formë të shkëlqyer.

Ai ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë dy asistime në shtatë ndeshjet e fundit zyrtare.

Falë kontributit të tij, Borussia Dortmund ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve dhe ka ngushtuar diferencën në gjashtë pikë me kryesuesin e Bundesligës, Bayern Munich. /Telegrafi/

telegrafi sport app