Selamiu, mjeshtri i fundit i balsamosjes (Foto)

Fjala e urtë popullore "Sa njerëz, aq zakone", gjen përdorim në shumë raste dhe në shumë mjedise. Njerëzit dallojnë nga mënyra e jetës, e punës, e mendimit, e veprimit dhe e shprehive. Kjo fjalë e urtë u shkon për shtati edhe zejtarëve, pasi edhe në mesin e tyre ushtrohen lloj-lloj zejesh, duke përfshirë këtu madje edhe ato të veçanta dhe të çuditshme.
Zejtarët e tillë janë të rrallë, shpesh edhe unikë, prandaj edhe bëhen të njohur në mjedisin ku jetojnë.
Kjo mund të vërehet kudo, por vërehet edhe në Gjakovë, në qytetin e 100 zejeve, siç e ka quajtur udhëpërshkruesi i njohur turk, Evlia Çelepia.
Njëqind zeje ishin dikur, ndërsa sot ka dukshëm më pak, pasi shumë nga ato zeje, veçanërisht disa të vjetra, po ushtrohen gjithnjë e më pak, bile disa prej tyre po shuhen tërë- sisht, kështu që, sot, askush saktësisht nuk di të thotë se sa zeje ushtrohen në trevën e Gjakovës!
Disa nga 100 zejet e Gjakovës tashmë janë harruar, disa të tjera janë në "rrugë të sigurt" që të harrohen, pasi brezat e rinj nuk po e ushtrojnë, nuk po e vazhdojnë traditën e paraardhësve, ndërsa edhe një nga ato zeje shumë të rralla, do të shuhej shumë kohë më parë, po të mos ishte një fanatik i vërtetë, i cili me këmbëngulje vazhdon të ushtron atë, duke qenë i vetmi zejtar i tillë në Gjakovë, e mbase edhe në Kosovë?!
Fjala është për zejen e balsamosjes (regjjes) së kafshëve dhe shpezëve të ndryshme, shtëpiake e të egra, profesion ky me të cilin dikur në Gjakovë merreshin disa veta, ndërsa tash e shumë vjet atë zeje vazhdon ta ushtrojë vetëm Selami Grezda 75- vjeçar.
"Kam ngelur i vetmi që në Gjakovë që merrem me këtë zanat. Bile nuk e di se a ka ndonjë tjetër që e ushtron këtë zanat në Kosovë", fillon rrëfimin e tij usta Selamiu, i cili thotë se në këtë mënyrë po e vazhdon traditën familjare.
Në dyqanin e tij, që gjendet në afërsi të Urës së Taliqit në Gjakovë, ka një numër të madh të kafshëve të ndryshme të balsamosura (të regjura). Ndërkaq, para dyqanit qëndron një gomar i balsamosur, i cili tërheq vëmendjen e shumë kalimtarëve, ca prej të cilëve, madje, kërkojnë nga ustai që t'ua lejojë të bëjnë foto në afërsi të tij, gjë që Selamiu nuk i refuzon asnjë herë.
"Po dëshirojnë të fotografohen me gomarin, le ta bëjnë", thotë duke u mahitur Selamiu. Në dyqanin e tij janë të ekspozuara me dhjetëra kafshë e shpezë, të cilat ustai i ka punuar me kujdes dhe për merak.
"Është punë mjaft e vështirë, madje shpesh edhe e rrezikshme, por unë jam i dashuruar në këtë zanat dhe kujtoj se nuk mund të jetoj pa të, prandaj edhe balsamosjen e bëj me shumë kënaqësi", rrëfen Selamiu, duke e sqaruar edhe atë shprehjen "e rrezikshme", se bëhet fjalë për ndonjë sëmundje eventuale që mund ta ketë pasur kafsha, apo edhe rreziku nga lëndët kimike që përdorën për balsamosje.
Selami Grezda, një merakli i vjetër, i vetmi që në Gjakovë e bën balsamosjen e kafshëve shtëpiake e të egra, mbase i vetmi edhe në Kosovë, punën e vet e konsideron një lloj arti sa të rrallë aq edhe interesant. Prandaj, jo rastësisht, ai insiston që të trajtohet jo vetëm si zejtar, por edhe si artist. Duke i shikuar eksponatet që i ka në punëtorinë e tij, njeriu shpesh ka përshtypjen se kafshët e balsamosura po e shikojnë "drejt e në sy",shkruan Gazeta Kosova Sot.
Image



































