Sekuestrohet kokainë dhe kanabis që ishte gati për shitje, Policia publikon pamje të arrestimit të 41-vjeçarit nga Lushnja

Policia e Shtetit bën të ditur se ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili transportonte në automjet lëndë narkotike, me qëllim shitjen e saj në qytetin e Vlorës.
Në njoftimin e policisë thuhet se në vijim të kontrolleve të intensifikuara dhe bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, me ndërhyrjen e menjëhershme të Forcës së Posaçme Shqiponja, organizuan dhe finalizuan goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike, ku u arrestuar në flagrancë shtetasi E. V., 41 vjeç, banues në Lushnjë.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Hyundai’, me drejtues këtë shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, të ndara në 4 ambalazhime plastike”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /Telegrafi/


















































