LAJMI I FUNDIT:

Sekretarja amerikane e Thesarit nuk sheh recesion në SHBA?

Sekretarja amerikane e Thesarit nuk sheh recesion në SHBA?

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përparim të mirë në uljen e inflacionit.

Duke folur për Bloomberg TV gjatë një takimi të zyrtarëve financiarë të Grupit 20, ajo theksoi se nuk pret që ekonomia amerikane të hyjë në recesion.

Yellen tha se rritja më e ngadaltë në Kinë mund të përhapet në ekonomi të tjera, por se ekonomia amerikane ishte në një “rrugë të mirë” për uljen e inflacionit, ndërsa tregu i punës vazhdon ende fort.


“Për Shtetet e Bashkuara, rritja është ngadalësuar, por tregu ynë i punës është ende mjaft i fortë. Nuk pres një recesion”, tha zyrtarja amerikane, duke shtuar se të dhënat e fundit të inflacionit ishin mjaft inkurajuese.

Yellen tha se zyrtarët kinezë kishin ngritur shqetësime serioze, veçanërisht në lidhje me tarifat amerikane, gjatë vizitës së saj në fillim të këtij muaji, por se arsyet themelore pse Uashingtoni i kishte zbatuar ato, duke përfshirë praktikat e padrejta tregtare, nuk ishin adresuar.

Sekretarja deklaroi se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të vazhdojnë me një urdhër të ri ekzekutiv që kufizon investimet në Kinë, por theksoi se do të fokusohet ngushtë në tre sektorë – gjysmëpërçuesit, llogaritjen kuantike dhe inteligjencën artificiale.

“Ato do të përmbajnë një kombinim të kërkesave për njoftim, dhe në një pjesë shumë të ngushtë të këtyre sektorëve, ndalime, por nuk do të ishin kontrolle të gjera që do të ndikonin në investimet amerikane në Kinë”, tha ajo. /Telegrafi/