Secili kundër secilit
Muhamet Mustafa
Derisa për çdo 48 orë dhe për të 31-tën herë po shohim kurthimin e qëllimshëm procedural në tentimet farsë për konstituimin e Kuvendit, nuk po shihet një pikë takimi, nuk po shihet konvergjimi i forcave politike për një zgjidhjeje. Ajo që shohim është një farsë e mbuluar me konstatime procedurale, por, në realitet, e ushqyer nga lufta sa primitive, aq edhe egoiste për të vazhduar më tutje me një proces që po devalvon edhe zgjedhjet të cilat u vlerësuan të mira dhe korrekte. Duket se rezultatet e zgjedhjeve prodhuan zhgënjim për politikën që solli këtë kurth.
Ka katër muaj që pas seancave të dështuara për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit, po shohim deklarata të përfaqësuesve të partive - dhe thuajse për çdo natë në TV me frekuenca nacionale - debate për këtë situatë. Dhe, vija e përgjithshme e deklarimeve të politikanëve dhe opinionistëve në TV, me ca përjashtime, është se ato nuk shkojnë kah krijimi i një atmosfere të uljes së konfrontimit dhe ndihmës për të arritur te një pikëtakim që do të mund të ishte zgjidhje. Për më keq, shumica e prononcimeve po i fryjnë më shumë konfrontimit dhe ushqimit të kësaj status quo-je me elemente groteske, por edhe tejet të dëmshme për vendin tonë në të dy rrafshet - për pozitën ndërkombëtare të vendit dhe për shumë probleme që po përkeqësojnë pozitën e brendshme ekonomike, sociale dhe politike në vend.
Dy institucionet që, për nga funksioni i tyre, do të duhej të sillnin më shumë racionalitet dhe zgjidhje - Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese - do të duhej të kishin parasysh urgjencën dhe të jepnin kontributin e tyre më shpejt dhe në mënyrë efektive.
Edhe kur dikush del me propozime, që do të mund të lëviznin kah tejkalimi i ngërçit të orkestruar (si p.sh. ndryshimi i kandidates, qeveria gjithëpërfshirëse për një afat kalimtar), fillon debati në “stilin secili kundër secilit”; debat që nuk ofron asnjë zgjidhje, por që, të shumtën e herëve atakon dhe komprometon çdo zgjidhje të mundshme.
Opinioni dhe intelektualët po bëjnë sehir (përjashtuar tentimet e disa individëve). Shprehet një brengë në stilin “keq, shumë keq, u bëmë horë, por kjo është punë e partive politike”! Por, partitë politike kanë vënë zap deputetët që duket se mund të “kenë mendime të veta (eventualisht) dhe ndërgjegje, por që nuk pajtohen me to”.
Presioni i krijuesve të opinionit - politikanëve të përgjegjshëm, qarqeve akademike, intelektualëve, shoqërisë civile dhe mediave - duhet të përqendrohet te krijimi i një mase kritike për solucione që janë reale dhe të zbatueshme. Pse duhet të mbahet peng zgjidhja? Kujt i lejohet ky marifet? Një kandidat që mund të jetë i mirë nga aspekti partiak, por që nuk merr vota, mund të ndërrohet dhe të fillojë procedura kushtetuese - sipas rregullores së Kuvendit. Një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare (pa asnjërin nga liderët në krye të saj) - e cila në ndarjen e portofolëve do të pasqyronte rezultatin zgjedhor, me një kryeministër konsensual, me prioritete të ngushta që reflektojnë një konsensus të arritshëm nga partitë parlamentare - pse do të ishte herezi?
Dikush tha se ne i kemi tejkaluar këto faza, por jo, nuk i kemi tejkaluar! Aranzhmane të tilla - të përkohshme, në mungesë të zgjidhjeve të tjera, kur është e vështirë të krijohet një shumicë parlamentare - kanë zbatuar edhe demokraci të pjekura. Dikush nuk do të hyjë në atë qeveri? E, pra, presioni publik do të duhej të përqendrohej tek ai. Askush nuk e ka të drejtën që ta mbajë peng vendin pa institucionin kryesor me funksion legjislativ dhe mbikëqyrës! Askush nuk mund të krijojë situata - të mjegulluara në aspektin e legjitimitetit - që shpijnë në anarki. Ky do të ishte një hap tejet mbrapa në rrugën e shtetndërtimit, pjekurisë institucionale dhe pozitës ndërkombëtare të vendit - dhe atë në përvjetorin e 26-të të çlirimit dhe 17 vjet pas pavarësisë!






























