LAJMI I FUNDIT:

Samiti i Berlinit, Berisha: Rama nuk punoi për shkrirjen e akujve mes Tiranës dhe Prishtinës

Samiti i Berlinit, Berisha: Rama nuk punoi për shkrirjen e akujve mes Tiranës dhe Prishtinës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, doli në një deklaratë për shtyp në lidhje me samitin e djeshëm të mbajtur në Tiranë.

Duke komentuar zhvillimet, Berisha tha se, Rama tentoi që të dekurajonte Albin Kurtin.


Sipas Berishës, i vetmi takim bilateral në këtë samit, ishte ai mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Gjatë deklaratës për mediat, Berisha vuri në dukje faktin se ky samit nuk pati një deklaratë në fund një deklaratë që të mbetet si një dokument themelor historik i tij.

Fjala e plotë:

Samiti evropian u mblodh, por sherret ballkanike mbeten. Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet tokë sherri në Europë.

Samiti ishte ngjarja më e madhe për rajonin. Rikonfirmonte mbështetjen e perspektivës evropiane për kombet e rajonit.

Ky samit pati rezultat tjetër shumë të rëndësishëm, varrosjen në piramidën e diktatorit më stalinist të Europës, Enver Hoxhës, të projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur dhe së bashku me të, të ëndrrës së Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Vetë, me mbledhjen e tij në Tiranë, samiti sillte në Ballkanin perëndimor, antidotin e sherrit, por ky efekt nuk pati.

Pse kjo? Sepse përtej fasadës, mikpritësi është vetë sherri.

Ai, në prag të samitit, jo që nuk synoi qetësimin e sherreve ekzistuese, në të cilat ai vetë është përfshirë, por bëri gjithçka që t’i hapte ato më shumë.

Tre ditë përpara samitit, ai mbajti një fjalim koprolalik, të llojit të Enver Hoxhës, kundër udhëheqjes politike të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, për fajin e vetëm se kanë kundërshtuar ndërhyrjet brutale të tij si argat i Vuçiçit në punët e brendshme të vendit të tyre dhe projektin antishqiptar të ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Kështu, Rama jo vetëm që nuk punoi për shkrirjen e akujve mes Tiranës dhe Prishtinës, por në prag të samitit bëri të kundërtën, vazhdoi luftën e ftohtë të nisur prej vitesh nga ai.

Përveç këtyre, ajo që ra në sy ishte paraqitja hundë e buzë e kryeministres Brnabiç në krah të argatit të Beogradit.

Me gjuhën e trupit dhe mimikën shpërfillëse, ajo shprehu mesazhin e padronit të tij, argatit, se nuk ke bërë mirë detyrën, ishe zotuar se Kurti nuk do vinte në samitin e Tiranës.

Në fakt Rama, muaj më parë kur vendosi i pari sanksionet ndaj Kosovës, kishte paralajmëruar se për Kurtin nuk do të kishte vend në samit, sikur të ishte ky samit personal i tij dhe jo i BE dhe rajonit.

Por Kurti nuk ra në kurthin e tyre dhe megjithëse Rama nuk kurseu gjë për ta irrituar dhe dekurajuar, në mënyrë që të refuzonte ardhjen në Tiranë, kjo nuk ndodhi.

Albin Kurti erdhi dhe i vari Ramës teneqenë që meritonte. Takimi i vetëm biletaral në këtë samit, i njoftuar nga media, ishte takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Samiti padyshim u mblodh si shpresë për të sjellë mbështetjen e BE për rajonin dhe Shqipërinë.

Në fakt, të paktën për Shqipërinë, shpresa ngriu në oborrin e samitit.

Kjo sepse kryeministri i Greqisë ia plasi në fytyrë Edi Ramës në samit, duke deklaruar se Greqia do bllokojë Shqipërinë për arsye se ky vend, Shqipëria, nuk respekton shtetin ligjor dhe vlerat evropiane.

Edi Rama, të dashur qytetarë, për interesa të tij mafioze, konkretisht të Oltës dhe Olsit, vëllait të tij, mban të burgosur politik Fred Belerin dhe në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, nuk lejon betimin e tij.

Më i lumturi në samit, ishte kryeministri Dritan Abazoviç, sepse vendi i tij prej një viti e gjysmë nuk krijon dot qeveri.

Samiti, me gjithë fasadën, nuk arriti ndonjë rezultat konkret shtensionues për rajonin, sepse sherrin nuk e mbuloi dot fasada.

Tokë e kohës së ngadaltë!

Samiti i Tiranës u mblodh 20 vite pas samitit të Selanikut, në të cilin opozita shqiptare ishte e ftuar nga opozita greke. Këto 20 vite, nga rajoni, vetëm Kroacia është anëtare e BE.

Për vendet e tjera të rajonit, anëtarësimi në BE, mbetet për faj të regjimeve të tyre, horizont që largohet.

Samiti i Tiranës nuk pati një deklaratë që të mbetet si një dokument themelor historik i tij.

Qytetarët shqiptarë, dhe ata të rajonit që nuk dinin gjermanisht, nuk arritën as të njihen me deklaratën e personalitetit më të rëndësishëm të këtij samiti, kancelarit Olaf Scholz, sepse fasada kishte ngrënë përkthimin.

Gjithçka mbetet nga samiti është deklarata e presidentes së KE, Ursula von der Leyen, e cila tha se thesin e kemi plot me para, por duhet të bëni reforma që t’i merrni ato. Më fjalë të tjera, duhet të bëni reforma që të mos vidhni paratë e taksapaguesve europianë.

Ndërkohë si për ironi të fatit, në sfondin e magjishëm të baletit të Përlocajt, Radio France Internationale informonte botën për lidhjet e Edi Rramës me drogën.

Si përfundim, dua të garantoj partnerët europianë, se Partia Demokratike, lokomotivë e vërtetë e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, do të punojë fort për realizimin e aspiratës së shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në BE si e ardhmja më e ndritur e kombit shqiptar.

PD falënderon me mirënjohje në këtë rast, përfaqësuesit më të lartë të vendeve anëtare të BE për ndihmën bujare që ata i kanë dhënë këto 32 vite në rrugën e saj.

Gjithashtu shpreh mirënjohje të thellë për varrosjen që i bënë dje, projektit ruso-serb apo serbo-rus të Ballkanit të Hapur. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanvoviqit

“E pashë një person të maskuar me armë në dorë” – policia jep detaje nga tentim vrasja ndaj Marko Jablanvoviqit

Kronika e Zezë
Detaje të reja nga ngjarja tragjike në Shkodër

Detaje të reja nga ngjarja tragjike në Shkodër

Lajme
E goditi me thikë pasi viktima refuzoi të merrte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale – arrestohet i dyshuari në Fushë Kosovë

E goditi me thikë pasi viktima refuzoi të merrte drogë dhe të kryente marrëdhënie seksuale – arrestohet i dyshuari në Fushë Kosovë

Kronika e Zezë
Vazhdojnë kërkimet për nënën me dy fëmijë në Shkodër, sekuestrohen kamerat e sigurisë për të zbuluar nëse shoqëroheshin nga dikush

Vazhdojnë kërkimet për nënën me dy fëmijë në Shkodër, sekuestrohen kamerat e sigurisë për të zbuluar nëse shoqëroheshin nga dikush

Lajme
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Kalo në kategori