Sallahu: Avokati i Popullit po hesht për dekretin kundërkushtetues, është bërë mik i AAK-së

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar ashpër institucionin e Avokatit të Popullit, duke e akuzuar për mosveprim lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, që sipas Sallahut është kundërkushtetues.
Përmes një reagimi publik, Sallahu tha se në historinë e Republikës së Kosovës nuk ka pasur “Avokat të Popullit më politik dhe më jopopullor” sesa ky aktual.
“Republika e Kosovës, ‘Avokat të Popullit’ më politik dhe jopopullor se ky i tanishmi nuk ka pasur ndonjëherë,” ka deklaruar Sallahu.
Ai theksoi se, sipas nenit 113 paragrafi 2.1 të Kushtetuta e Kosovës, Avokati i Popullit ka të drejtë që një dekret kundërkushtetues ta dërgojë për shqyrtim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por sipas tij kjo ende nuk ka ndodhur.
“Si është e mundur që ‘Avokati i Popullit’ të mos e dërgojë një rast të tillë në Gjykatë Kushtetuese, kur dihet se dekreti haptazi cenon stabilitetin shoqëror, ekonomik dhe social të shtetit tonë?”, është shprehur ai.
Sallahu gjithashtu pretendon se institucioni që duhet të mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut nga veprimet ose mosveprimet e autoriteteve publike, nuk e ka ushtruar këtë mandat në mënyrë të duhur.
“Edhe pse është e qartë se Avokati i Popullit ka kompetencë kushtetuese me i mbrojtë të drejtat dhe liritë e njeriut nga veprimet apo mosveprimet e paligjshme dhe kundërkushtetuese të autoriteteve publike, ai me vetëdije të plotë e ka shkelur këtë mandat,” ka deklaruar Sallahu.
Ai ka shtuar se gjatë pesë viteve të fundit, sipas tij, Avokati i Popullit ka mbrojtur vetëm interesat e një grupi të vogël individësh të lidhur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
“Në vend që të shfrytëzojë të drejtën ligjore me u bë mik i gjykatës (amicus curiae) në rastin konkret, ai është bërë mik i subjektit politik, AAK,” ka thënë Sallahu.
Në fund të reagimit të tij, ish-zëvendësministri i Drejtësisë ka deklaruar se Avokati i Popullit nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve.
“Përfundimisht ky ‘Avokat’ kurrë nuk ka qenë në shërbim të popullit, por vetëm në shërbim të klaneve dhe interesave të tij,” ka përfunduar Sallahu. /Telegrafi/






















































