Juventusi është në bisedime të avancuara me Manchester United për transferimin e Jadon Sanchos. Klubi italian tashmë ka arritur një marrëveshje personale me lojtarin për një kontratë pesëvjeçare.

Sancho ka pranuar të ulë ndjeshëm pagën e tij për t’u bashkuar me "Zonjën e Vjetër".


Nga 10 milionë euro që fitonte në Ligën Premier, ai do të përfitojë 6 milionë euro në sezon te Juventusi.

Megjithëse akordi me lojtarin është arritur, klubet ende nuk janë marrë vesh për shumën e transferimit. Manchester United kërkon 25 milionë euro, ndërsa Juventusi ofron 19 milionë.

Negociatat mes palëve janë ende në zhvillim e sipër, dhe pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për mbylljen e marrëveshjes.

Sezonin e kaluar, Sancho u aktivizua si i huazuar te Chelsea, ku luajti në 42 ndeshje, shënoi pesë gola dhe dha dhjetë asistime.

Forma e tij te Chelsea ka ringjallur interesin e Juventusit, që e sheh atë si përforcim kyç për sezonin e ri.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, debutimi i Sanchos me fanellën bardhezi mund të ndodhë më 10 gusht, në një miqësore ndaj Borussia Dortmund, ish-klubi i tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app