Saga e vrasjeve për hakmarrje në Lezhë: Mesazhi që lanë autorët kur ekzekutuan Pjetër Kazën në derën e banesës

Një tjetër viktimë i është shtuar sagës së gjatë të hakmarrjes mes dy familjeve në Lezhë, Kazës dhe Gjonit.
Pjetër Kaza, 57 vjeç, u vra para derës së shtëpisë së tij, në një akt që sipas autoriteteve dhe gazetares Dorjana Bezat, mbart një mesazh të qartë hakmarrjeje dhe simbolike të fortë.
E ftuar në emisionin Top Story në Top Channel, gazetarja Bezat ka dhënë detaje të reja mbi zinxhirin e ngjarjeve tragjike që, sipas saj, kanë nisur në vitin 1994 dhe kanë sjellë tashmë pesë viktima.
“Vrasja e Pjetër Kazës është tregues i dështimit të disa kodeve – sociale, kanunore dhe të hetimit. Kjo histori e errët ka zanafillën në janar të vitit 1994, kur Ndue Kaza, vëllai i Pjetrit, një mësues matematike i cili përkohësisht kishte veshur uniformën e policit, u vra gjatë një përballjeje me dy persona të armatosur gjatë një kontrolli rutinë,” tha Bezat.
Pas këtij akti, nisën përplasjet për hakmarrje. Vëllai i Ndues kreu më vonë vrasjen e autorëve të dyshuar, duke hapur kështu një cikël gjaku që nuk është mbyllur për më shumë se tri dekada.
Më pas, në vitin 2004, një tjetër akt hakmarrjeje ndodhi në Belgjikë, ku u vranë një tjetër vëlla i Pjetrit dhe nipi i viktimës së vitit 1994.
“Një cikël me dy viktima nga secila familje, që do të mund të konsiderohej i mbyllur nga logjika kanunore, u tejkalua me vrasjen e Pjetrit. Ai u ekzekutua në derën e banesës, në momentin që po kthehej nga puna – autorët kishin mjaft mundësi për ta ndjekur, por zgjodhën pikërisht atë vend për të lënë një mesazh të fortë,” theksoi gazetarja.
Hetimet janë përqendruar te pista e hakmarrjes, pasi Pjetër Kaza nuk ka pasur konflikte të tjera personale. Sipas komunikimeve të Bezatit me familjen e viktimës, ka pasur tentativa për pajtim nga familja Gjini, duke e konsideruar vrasjen e vitit 1994 si një akt të ndodhur për shkak të panikut dhe pa dijeninë që po përballeshin me një civil në uniformë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje plagët e hapura të hasmërive të vjetra në disa zona të Shqipërisë, ku drejtësia shpesh është kërkuar në mënyrë vetjake, përtej ligjit.


















































