LAJMI I FUNDIT:

Sadije dhe Dritëro Agolli: Një dashuri 52-vjeçare

Sadije dhe Dritëro Agolli: Një dashuri 52-vjeçare

Një ditë më parë u nda nga jeta Sadije Agolli, e veja e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Ajo u shua në moshën 76-vjeçare. Në shkurt të dy viteve më parë u shua edhe shkrimtari i madh, në moshën 85-vjeçare. Sadija nuk ishte vetëm bashkëshortja e të madhit Agolli, por njëherazi lexuesja e tij e parë, redaktorja, shoqja e tij besnike e ditëve të bukura e të vështira. Një dashuri e bukur 52-vjeçare. Më poshtë janë fjalët e Sadije Agollit ne parathënien e Librit me Letërkëmbimin me Dritëroin, “Dashuri në moshën e Krishtit”

…. Ne i dhamë njëri-tjetrit shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, mundime, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lotë, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë, ndarje dhe afrime njësh, pra i dhamë njëri-tjetrit çdo gjë.


Unë pata privilegjin, që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar një libër me 238 faqe poezi dashurie, përveç personazheve në romane, tregime, drama, komedi…

E ndjej veten të plotësuar në jetën time me Atë, pasi arritëm të kuptoheshim me një lëvizje dore, gishti, këmbe, syri, kollitjeje…

Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot. Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndiej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin…

Kjo më qetëson. Pi kafe dhe cigare pa mbarim, megjithëse përpiqem t’i rralloj.

Mendoj si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time. E di, se megjithëse i dobët fizikisht do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë.

Gruaja ime, Sadija
Prej teje asgjë s’më ka ndarë.
Kam bredhur dete dhe vende
dhe çfarë s’kam parë!
Në dhoma hotelesh në botë
jastëkët më sillnin veç erën tënde…
Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija
shikoja dhe thosha me vete:
Sadija…

/Shqiptarja/