Sa para fiton secila skuadër në Superkupën e Spanjës? Rritje historike e shpërblimeve për vitin 2026

Superkupa e Spanjës po përgatitet për një edicion historik në vitin 2026. Pas triumfit të Barcelonës në vitin 2025, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të rrisë ndjeshëm shpërblimet financiare, me synimin për t’i dhënë më shumë peshë turneut dhe për të motivuar skuadrat pjesëmarrëse.
Shuma totale e shpërndarë rritet nga 19 milionë euro në vitin 2025, të ndara mes Barcelonës, Real Madridit, Athletic Clubit dhe Mallorcës, në rreth 23 milionë euro për edicionin 2026. Këtë herë, përfitues do të jenë Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi dhe Athletic Clubi.
Megjithatë, shpërndarja e parave nuk është lineare. Çdo klub përfiton sipas kritereve të caktuara si titujt e fituar, historia e klubit dhe audienca televizive, çka bën që shumat të ndryshojnë në bazë të suksesit historik dhe atij të viteve të fundit.
Edicioni i fundit i Superkupës shkaktoi polemika, pasi Real Madridi dhe Barcelona përfituan nga 6 milionë euro secili, Athletic Club mori 2 milionë euro, ndërsa Mallorca vetëm 850 mijë euro. Përveç kësaj, skuadrat gjysmëfinaliste përfituan nga 1 milion euro, ndërsa kampioni mori edhe 2 milionë euro shtesë. Athletic Club madje kërkoi publikisht një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave mes pjesëmarrësve.
Në terma të përgjithshëm, Superkupa e Spanjës gjeneron një të ardhur totale prej 51.9 milionë eurosh për RFEF-në. Këto të ardhura vijnë nga tre burime kryesore: sponsorimet, që sjellin rreth 27 milionë euro, organizimi dhe pjesëmarrja me 11.5 milionë euro, si dhe të drejtat televizive që kapin vlerën e 12.69 milionë eurove.
Një aspekt i rëndësishëm është fakti se rreth 28 milionë euro nga këto të ardhura shkojnë për futbollin jo-profesionist në Spanjë. Kjo forcon ndikimin ekonomik të Superkupës përtej klubeve elitare dhe tregon se turneu kontribuon në zhvillimin e gjithë strukturës së futbollit spanjoll./Telegrafi



































