LAJMI I FUNDIT:

Sa neglizhent mund të jesh në raport me shëndetin publik?

Sa neglizhent mund të jesh në raport me shëndetin publik?

Kryetari italian, Sergio Mattarella, e mandatoi javën e shkuar ekonomistin Mario Draghi për ta formuar qeverinë e re italiane. Një ndër arsyetimet e kryetarit për këtë ishte se rrethanat e pandemisë nuk do të lejonin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe se rreziku të cilin do ta sillnin zgjedhjet dhe pashmangshëm tubimet apo takimet para tyre, do të ishte i madh për shëndetin publik. Këtu kemi të bëjmë me një iniciativë të kryetarit për t’i dhënë kah procesit politik të një shteti, në një rrethanë të veçantë jo vetëm për Italinë, por për tërë globin siç është pandemia. Por, nga ana tjetër është edhe gatishmëria e partive politike që t’i japin mundësi një teknokrati (në këtë rast të respektuar, siç është Draghi) që të formojë qeverinë që do të përballet me sfidat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë.

Shembulli është më se i krahasueshëm dhe paralel me Kosovën. Nuk dallojmë shumë nga sistemi politik italian për nga koalicionet e saja të brishta, makinacionet që rrëzojnë e ngrenë një qeveri pothuajse çdo vit, fragmentizimin e politikës të shpërndarë në shumë parti të mëdha e të vogla… Por, nuk e patëm as një kryetar shteti, as ushtrues detyre të kryetarit të shtetit që do të reflektonte si homologu Mattarella, por nuk patëm as krerë partish apo politikanë të ndërgjegjshëm për një përpjekje për kohezion ndërmjet tyre për t’i dhënë rast ndoshta një qeverie teknokratike apo mbipartiake për të na nxjerrë nga sfidat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë.

Pjesa tjetër, e prakrahasueshme me Italinë (dhe me pjesën tjetër më të madhe të Evropës e botës), është se ky shtet që është në një luftë të madhe për sigurimin e fondeve të rimëkëmbjes nga BE-ja, po e kalon një debat të brendshëm për përdorimin e tyre pasi që paketa prej 200 miliardë eurosh tanimë është e siguruar (qeveria në shkuarje është përballur me kritika për menaxhimin e pandemisë dhe përdorimin e fondeve për rimëkëmbjen ekonomike, sakaq, vaksinimi i popullatës është bërë ndër shkaqet kryesore të rrëzimit të qeverisë – përkatësisht të dorëheqjes së kryeministrit Conti).


Ne, nga ana tjetër, e rrëzuam qeveri për një ministër të Brendshëm apo për antiamerikanizëm (varet nga këndvështrimi), disa muaj më pas, për interpretimet filozofike dhe kushtetuese të çdo mesrreshti të ligjit për zgjedhje dhe të çdo ligji tjetër duke u zhytur në vorbulla të pafundme të interpretimit kushtetues (e ku çdo interpretim po i kthehet bumerang atij që po kërkon interpretim dhe po i hap rrugë një interpretimi të ri). Ku mbeti vaksinimi? Deri me 7 shkurt 2021, Italia (e kritikuar nga brenda dhe e cila rrëzoi qeveri për këtë çështje) ka vaksinuar 4.2 në 100 banorë, pra mbi katër për qind të popullatës. Ne? Ende nuk e pamë dëshminë, kontratën apo çfarëdo tjetër se qeveria ka lidhur marrëveshje me Pfizerin? Apo me Modernan? Ndërkohë, bashkëkombësi ynë në Preshevë e Bujanoci apo cilido banor në Kosovë me shtetësi serbe (sikur që ngarend për të marrë targat e veturës BU dhe VR) ka të drejtën të zgjedh a do vaksinë Pfizeri, Moderne apo ruse? Thënë ndryshe, Serbia ka vaksinuar 7.9 të popullatës së saj.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë poston fotografi ku vetëm ai shihet me maskë, rrethuar me numër më të madh njerëzish në ambient të mbyllur se sa që lejohet nga vetë udhëzimi i IKSHPK-së, Ministrisë dhe Qeverisë së tij, me të gjithë të tjerët pa maska dhe pa distancë sociale. Kryeministri në detyrë dhe ikje, në Pejë flet pa maskë, nuk mban distancë dhe rrethohet me më shumë njerëz se sa që lejohet në ambient të mbyllur nga vetë udhëzimi i Qeverisë së tij të cilën e udhëheq ende.

Kryeministri në ardhje (sipas sondazheve), takon njerëz dorë për dore në rrugët e Pejës, Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe kudo tjetër, përqafohet me ta, ka me qindra në mos mijëra njerëz që i shkojnë pas rrugëve të qytetit (në numër shumë më të madh sesa që lejohet të mblidhen në ambiente të hapura sipas udhëzimit të IKSHPK-së dhe Qeverisë së Kosovës). Kryetarja aktuale në detyrë dhe ajo në ardhje (e paracaktuar sipas kryeministrit në ardhje sipas sondazheve) takon njerëz dorë për dore në rrugët e Pejës, Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe kudo tjetër, ku ka me qindra në mos mijëra njerëz që i shkojnë pas rrugëve të qytetit (në numër shumë më të madh sesa që lejohet të mblidhen në ambiente të hapura, sipas udhëzimit të Qeverisë së Kosovës. Shumica pa maska, shumica pa distancë sociale).

I vetëkandiduari tjetër për kryetar shteti pas zgjedhjeve, mbledh në Prizren e kudo tjetër numër shumë më të madh njerëzish sesa që lejohet të mblidhen në ambiente të hapura (sipas udhëzuesit të Qeverisë së Kosovës), takon njerëz dorë për dore, përqafohet me ta, pranon libra e dhurata të tjera, bën fotografi. As ai, as shumica tjetër nuk mbajnë maskë, nuk kanë distancë sociale.

Kryetari i partisë që parashikohet se nuk do të futet në Parlament, që bën fushatë me kauzën e çlirimtarëve, i ka “çliruar” duket simpatizantët e tij nga virusi në takimin me shumë më tepër njerëz sesa që lejohet të mblidhen në ambientet e mbyllura – sipas udhëzuesit të Qeverisë së Kosovës. Njësoj vepron edhe partia më e madhe simotër e saj në një ambient të mbyllur që normalisht shërben si sallë dasmash. I pari në Lipjan, i dyti në Gjakovë dhe secili kudo tjetër në një ditë tjetër. Përderisa dasmat ndalohen tani gati një vit, por nga ana tjetër “dasmat” e tubimeve elektorale lejohen me po aq “dasmorë” sa do të kishte një martesë e çiftit, cila është logjika që një çifti t’i ndalohet martesa me 13 shkurt në ditën e heshtjes zgjedhore?

Cila është logjika e ekzistimit të orës policore në Prishtinë kur tërë ditën mblidhen, takohen, përqafohen njerëz në tubimet e atyre që do të duhej të na udhëhiqnin në pandemi tani dhe në të ardhmen? Me çfarë të drejte mund të më dënojë polici nëse rrugës nuk mbaj maskë? Çka është roli i mjekëve dhe mjekeve nëpër listat e kandidatëve për deputetë nëse së paku për këto çështje nuk i udhëzojnë liderët e tyre?

Në lajmet e djeshme të BBC-së, u raportua se një gruaje e cila kishte shkuar në spital dhe i kishte fotografuar shtretrit e zbraztë duke dashur të tregonte se puna e koronavirusit dhe e Covidit-19 është farsë dhe se një e tillë është e trilluar, i është ndaluar paraqitja në spital nëse do të ketë ndonjëherë nevojë për ndonjë shërbim spitalor në të ardhmen. Çfarë thoni që të gjithë politikanëve dhe garuesve në këto zgjedhje t’u ndalohet paraqitja në spital po qe se kërkojnë një shërbim spitalor, sidomos nëse ka të bëjë me Covid-19?