Sa kanë fituar Milani dhe Real Madridi nga transferimi i Jimenez

Gazetari i njohur, Fabrizio Romano, ka konfirmuar se Milani dhe Bournemouth kanë firmosur të gjitha dokumentet për transferimin përfundimtar të Alex Jimenez te klubi anglez për shumën 19 milionë euro.
Sipas gazetarit italian, marrëveshja është mbyllur zyrtarisht dhe lojtari tashmë është pjesë e përhershme e skuadrës së Ligës Premier.
Mbrojtësi i djathtë spanjoll, 20 vjeç, ishte transferuar fillimisht te Bournemouth në formë huazimi verën e kaluar, ndërsa tani lëvizja e tij është bërë përfundimtare.

Romano ka bërë të ditur në kanalin e tij në YouTube se “të gjitha dokumentet janë nënshkruar”, duke i dhënë fund çdo dyshimi mbi të ardhmen e lojtarit.
Shuma prej 19 milionë eurosh do të ndahet mes Milanit dhe Real Madridit.
Jimenez është produkt i akademisë së “Los Blancos”, të cilët kishin ruajtur një klauzolë prej 50% nga shitja e ardhshme e lojtarit.
Përveç kësaj, Milani do të përfitojë edhe bonuse shtesë që tejkalojnë 3 milionë euro.

Gjatë këtij sezoni, Jimenez ka realizuar një gol dhe ka dhuruar një asistim në 24 paraqitje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Bournemouth.
Në një intervistë të fundit për Mundo Deportivo, ai kishte zbuluar se vendosi të largohej nga Milani verën e kaluar për shkak të frikës se nuk do të kishte hapësira të mjaftueshme për të luajtur rregullisht. /Telegrafi/





















































