LAJMI I FUNDIT:

Ruskovska: Kamçev në deklaratën e tij nuk ka përmendur asnjë politikan

Ruskovska: Kamçev në deklaratën e tij nuk ka përmendur asnjë politikan

“Ajo që në disa mediume është transmetuar se Jordan Kamçev në dëshminë e tij ka përmendur politikanë, është e pasaktë dhe dezinformatë”.

Këtë e deklaroi sot shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Villma Ruskovska, e cila mori pjesë në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publik, ku është diskutuar për Katica Janevën, përcjell Telegrafi Maqedoni.


“Bëhet fjalë për dezinformatë të mediave të caktuara. Zaev është përmendur vetëm në pjesën ku Jordan Kamçev thotë se e ka paraqitur rastin edhe tek ai. Asnjë politikan tjetër nuk është përmendur”, tha Ruskovska pas përfundimit të seancës.

Në lidhje me prezencën e saj në seancën e sotme, ajo tha se i ka treguar të gjitha dëshmitë dhe e ka arsyetuar arrestimin e Janevës para anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve.

“Unë i kam prezantuar dëshmitë që i kemi mbledhur deri tani. Kam dhënë përgjigje në të gjitha pyetjet e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publik, ndërsa ju mbetet atyre të vendosin. Joveski nuk ishte i pranishëm në seancë”, tha Ruskovska.

Ajo tha se nuk ka informacione për gjendjen shëndetësore të Janevës dhe nëse avokatët e saj do të dorëzojnë ankesë për masën e paraburgimit, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Ndryshe, Këshilli i Prokurorëve Publik akoma nuk ka vendosur nëse do të inicojë procedurë për shkarkimin e Janevës dhe zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Prokurorisë Speciale./Telegrafi/