LAJMI I FUNDIT:

Ndalohet përkohësisht furnizimi me gaz rus i Gjermanisë

Nord

Rusia tha se do të ndalojë për dhjetë ditë dërgesat e gazit natyror në Gjermani – përmes tubacionit “Nord Stream I” – duke filluar nga 11 korriku.

Autoritetet ruse thanë se kjo bëhet për shkak të disa punëve të përvitshme në mirëmbajtje, por disa në Gjermani janë të shqetësuar se Kremlini mund të gjejë ose krijojë arsye për të zgjatur ndalesën, si formë ndëshkimi për Berlinin. Ky i fundit është duke mbështetur Ukrainën, si politikisht, ashtu edhe me armë, prej kur Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të gjerë më 24 shkurt.


Njoftimi për pezullimin e furnizimeve me gaz vjen pasi Qeveria kanadeze ka thënë më 10 korrik se do të kthejë një turbinë të riparuar të gazsjellësit “Nord Stream I” në Gjermani.

Turbina pritet të dërgohet fillimisht në Gjermani, e më pas t’i transferohet kompanisë ruse, Gazprom, e cila është operatore e tubacionit, në mënyrë që Kanadaja të mos i shkelë sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.

Muajin e kaluar, Gazprom ka ulur kapacitetet e furnizimit përmes gazsjellësit “Nord Stream I” në 40 për qind të niveleve normale, duke u thirrur në kthimin e vonuar të pajisjeve që janë çuar për riparim në kompaninë gjermane Siemens në Kanada.

Gjermania do ta rishikojë Ligjin për Energjinë si masë për t'i shpëtuar bizneset nga ndikimi i Rusisë
Lexo po ashtu Gjermania do ta rishikojë Ligjin për Energjinë si masë për t'i shpëtuar bizneset nga ndikimi i Rusisë

Moska ka thënë më 8 korrik se do të rrisë furnizimin me gaz në Evropë nëse i kthehet turbina. Puna në gazsjellësin “Nord Stream I” është planifikuar shumë kohë më parë, por disa në Perëndim kanë paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin, mund t‘i përdorë furnizimet me energji si armë politike.

“Putin do ta mbyllë rubinetin e gazit… por, a do ta hapë përsëri?”, ka shkruar gazeta gjermane, Bild.

“Po përballemi me një situatë të paprecedentë, çdo gjë është e mundur. Mund të ndodhë që gazi të rrjedhë sërish, ndoshta më shumë se më parë. Mund të ndodhë që asgjë të mos vijë. Ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq dhe të bëjmë çmos për t’u përballur me situatën”, ka thënë zëvendëskancelari gjerman, njëherësh ministë i Ekonomisë, Robert Habeck.

Tubacioni “Nord Stream I” transporton 55 miliardë metra kub (bcm) gaz në vit nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik.

Von der Leyen: Putini po e përdorë energjinë si armë lufte
Lexo po ashtu Von der Leyen: Putini po e përdorë energjinë si armë lufte

Moska ka ndërprerë furnizimin me gaz për disa vende evropiane, të cilat nuk kanë vepruar në përputhje me kërkesat e saj për të bërë pagesën me rubla. Gjermania varet shumë nga furnizimet ruse me energji dhe ka paralajmëruar se ekonomia e saj mund të futet në recesion, nëse rrjedhat e gazit rus ndalen për një periudhë të gjatë.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Gjermania ka bërë përpjekje të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus, duke përfshirë edhe përmes ndërtimit të porteve të gazit të lëngshëm natyror.

Ekonomia e Rusisë gjithashtu mund të pësojë goditje nëse tubacioni mbyllet për një kohë të gjatë, për shkak të humbjes së të ardhurave.

Gjermania tashmë ka pezulluar projektin e gazit “Nord Stream I”, si ndëshkim për pushtimin rus të Ukrainës. “Nord Stream I” – gjysma e së cilës është në pronësi të Gazpromit, në konsorcium me kompanitë evropiane të energjisë – është planifikuar të dyfishojë dërgesat e gazit rus në Gjermani. /REL/