Dy administratorët e kanaleve në Telegram, Georhii Levchenko dhe Vladyslav Hershon, janë dënuar me burgim në Moskë.

Rusët i kanë arrestuar ata në qytetin Melitopol, i cili është nën pushtim të përkohshëm, në gusht të vitit 2023.


Levchenko u dënua me 16 vite burg më 2 shtator. Ai ishte administrator i RIA-Melitopol, një agjenci lajmesh e bazuar në Telegram. Rusët e akuzojnë për “tradhti” dhe “nxitje të ekstremizmit”.

Hershon u dënua me 15 vite burg më 3 shtator në Rostov mbi Don, siç ka konfirmuar familja e tij për Reporterët pa Kufij.

Ai ishte administrator i kanalit informativ “Melitopolja në Ukrainë” në Telegram. Rusët e akuzojnë për “terrorizëm”.

Në një letër drejtuar familjes së tij, ai shkruan se “çdo mëngjes është ferr”, duke përshkruar kushtet e padurueshme në burg.

Reporterët pa Kufij shtojnë se këto janë “dënimet e para dhe një sinjal alarmues për katër punonjës të tjerë të medias që janë ende të ndaluar në Melitopol”. /Telegrafi/