LAJMI I FUNDIT:

Rumania dhe Serbia nuk e njohin shtetësinë,por prodhimet e Kosovës, po

Rumania dhe Serbia nuk e njohin shtetësinë,por prodhimet e Kosovës, po

Fabrika e këpucëve Solid nga Suhareka ka nisur eksportin e parë të këpucëve për në Rumani dhe Serbi me sukses edhe përkundër se këto dy shtete ende nuk e kanë pranuar Kosovën.

Në nisjen e eksporteve kanë marr pjesë edhe një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini.

Shahini tha se eksporti i prodhimeve “Made in Kosova” për në Rumani dhe Serbi, shtete këto që se kanë njohur Kosovën ka rëndësi të madhe. Sipas tij, kjo po bëhet falë diplomacisë ekonomike të Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Edhe pse vështirësitë për qarkullim në këto dy shtete janë evidente, bizneset e tyre po i vlerësojnë lart prodhimet e Kosovës”, theksoi Agim Shahini.

Ai tregoi se AKB-ja në vitin 2012 e këtej kanë lobuar fuqishëm në Rumani, që prodhimet e Kosovës të eksportohen atje. Kjo është një rezultat dhe e arritur për të gjithë Kosovën. “Prodhimi cilësor ka gjetur ato tregje dhe kjo është një rezultat i fuqishëm që produktet e Kosovës të depërtojnë atje ku as institucionet e shtetit e shpesh herë as qytetarët nuk arritur të depërtojnë”, tha ai.

Kryetari i AKB-së, theksoi se institucionet e Kosovës duhet ta ndërrojnë mentalitetin për avancimin e prodhuesve vendës, në atë mënyrë që të marrin tregje të huaja dhe të rritet fuqia konkurruese.

Rumania dhe Serbia, janë rreth tridhjetë milionë konsumatorë dhe tregje tepër interesante për prodhimet e Kosovës, por vështirësitë e prodhuesve vendës për të qenë më konkurrent në vend, po i pengojnë këta që të marrin tregje të reja.

Ai tregoi se prodhuesit po përballen me vështirësi të shumta dhe që institucionet e kanë për obligim që të krijojnë klimë më të favorshme për prodhuesit vendës e të cilët janë ardhmëria e vendit.

Ahmet Kuqi, nga fabrika e këpucëve Solid tha se po nisin eksportin e mbi dy mijë palë këpucësh për në Rumani dhe mbi një mijë palë të tjera për në Serbi. Eksporti po bëhet në dy shtete të cilat ende nuk na kanë pranuar dhe është një shembull shumë i mirë që këpucët tona të depërtojnë në vende që ende nuk na kanë njohur.

“Eksporti po realizohet me mbishkrimin apo deklaracionin ‘Made in Kosova’. Për në Rumani po eksportojmë për herë të parë, ndërsa në Serbi po vazhdojmë eksportet tash tre vjet radhë dhe pas asnjë problem ku do të vazhdoi eksporti”, tha Kuqi. /Telegrafi/