LAJMI I FUNDIT:

Rudari kërkon nga qytetarët të kenë kujdes të shtuar, pas konfirmimit të parë me coronavirus në Podujevë

Rudari kërkon nga qytetarët të kenë kujdes të shtuar, pas konfirmimit të parë me coronavirus në Podujevë

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka reaguar pas konfirmimit se një qytetar i Podujevës ka rezultuar pozitiv me koronavirus, duke kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë të gjitha udhëzimet për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Këshilli komunal për menaxhimin dhe zbatimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse nga COVID-19 do të mblidhet nesër në mëngjes për të analizuar situatën aktuale dhe koordinimin e aktiviteteve të mëtejme, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, ka thënë Rudari.

Ai ka bërë të ditur se Komuna e Podujevës, në përputhje me vendimin Qeverisë së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive, qysh javën e kaluar ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive, duke bërë dezinfektimin e hapësirave publike dhe pajisjen e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës.


“Konform situat ës së krijuar edhe në komunën tonë janë duke u respektuar rekomandimet për mbylljen e të gjitha objekteve tregtare dhe restoranteve e lokaleve. Inspektorët tanë vazhdimisht janë në teren dhe po përcjellin zbatimin e vendimeve të marra për masat parandaluese të COVID-19”, u shpreh Rudari.

Një qytetar i Komunës së Podujevës pas kryerjes së analizave sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka rezultuar pozitiv në COVID 19.

Personi i infektuar para pak ditësh ishte kthyer Italia, e cila është në gjendje emergjente për shkak të numrit të madh të personave të prekur me koronavirus, njofton Telegrafi.