Telegrafi së shpejti do të sjellë për publikun një format të ri të podcastit, të quajtur “Rrugëtimi”, një format i ri bisedash që sjell histori personale, përvoja profesionale dhe diskutime mbi sfidat dhe sukseset në fusha të ndryshme të shoqërisë.

Autore dhe moderatore e podcastit është gazetarja dhe redaktorja, Jehona Hulaj, e cila përmes këtij formati synon të sjellë biseda të hapura me personalitete nga fusha të ndryshme, duke zbuluar rrugëtimin e tyre profesional dhe momentet kyçe që kanë ndikuar në karrierën e tyre.


- YouTube www.youtube.com

Në fazën e parë, fokusi i podcastit do të jetë tek gratë e suksesshme, të cilat në fusha të ndryshme kanë qenë zë i ndryshimit dhe kanë hapur rrugë për të tjerët.

Përmes bisedave të drejtpërdrejta, ato do të ndajnë rrugëtimin e tyre profesional, sfidat me të cilat janë përballur dhe momentet që kanë shënuar kthesa në karrierë.

Në episodin e parë të “Rrugëtimi”, mysafire është Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e STIKK (Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës).

Në këtë episod, ajo flet për rrugëtimin e saj profesional në sektorin e teknologjisë, zhvillimin e industrisë së IT-së në Kosovë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në këtë fushë.

Episodi i parë do të lansohet së shpejti, ndërsa episodet e radhës të podcastit “Rrugëtimi” do të transmetohen një herë në muaj, çdo të hënë të parë të muajit, në platformat e Telegrafit.

Në vazhdim, “Rrugëtimi” pritet të zgjerohet edhe me tema të tjera dhe me mysafirë nga fusha të ndryshme të jetës publike, biznesit, kulturës dhe teknologjisë, duke sjellë histori që inspirojnë dhe nxisin diskutim. /Telegrafi/